Javën e ardhshme Sllovenia do t’ia dorëzojë Kroacisë notën e posaçme lidhur me fillimin e zbatimit të vendimit arbitrar për kufirin, të cilin Kroacia tashmë njoftoi se nuk do ta respektojë.
Qeveria do të emërojë edhe grup të posaçëm, i cili do ta koordinojë zbatimin e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, njoftoi kryeministri slloven Miro Cerar në bisedë me kryetarët e komunave kufitare me Kroacinë, transmeton agjencia Hina.
Cerar deklaroi se në takimin, që më vonë këtë muaj duhet ta ketë me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, nuk do të bisedojë për vendimin e ri për kontestin kufitar, siç kërkon Kroacia, por për zbatim të vendimit e Arbitrazhit i cili, sipas tij, është i obligueshëm edhe për të dy vendet.
Kroacia në vitin 2015 në mënyrë të njëanshme hoqi dorë nga Arbitrazhi, pasi u zbulua se përfaqësuesit sllovenë kanë lobuar para gjykatësve që të marrin vendim në dobi të tyre. Prej atëherë Zagrebi insiston për format të ri për negociatat me Slloveninë për kontestin kufitar.
Gjykata e përhershme e Arbitrazhit në Hagë më 29 qershor konfirmoi se tre e katërta e Gjirit kontestues të Piranit i përkasin Sllovenisë, e cila me akt të posaçëm fitoi edhe korridor përmes ujërave territoriale kroate drejt ujërave ndërkombëtare.
Zagrebi refuzon të pajtohet me vendimin e gjykatës dhe Sllovenisë t’i lejojë qasje deri në ujërat ndërkombëtarë.