I dyshuari për terrorizëm, Sllobodan Gavriq i cili kishte hyrë në Kosovë me rreth 13 kilogramë eksploziv që sipas prokurorisë kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist është shpallur fajtorë dhe është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinë me 13 vjet burg.
Sllobodan Gavriq kishte hyrë në Kosovë në muajin dhjetor të vitit 2014, ku dhe kishte qëndruar në Hotelin “Grand”. Ndërkaq, deri sa po lëvizte në Lagjen “Arbëria” në Prishtinë, policia e kishte ndalur dhe kontrolluar veturën e Gavriqit “Renault Clio”, me ç‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.
Gavriq ishte arrestuar dhe marrë në pyetje nga hetuesia brenda policisë, ku dhe kishte rezultuar me ngritje të aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë kundër Sllobodan Gavriqit më 10 korrik të vitit 2015.
Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit, ku në muajin dhjetor të vitit 2014 në Beograd, është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 kilogramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.
Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.
Sllobodan Gavriq gjatë procesit gjyqësor kishte deklaruar se automjeti i tij nuk ishte kontrolluar deri sa kishte hyrë në Kosovë, dhe kjo nuk ishte hera e parë që këtë eksploziv e kishte sjellë në Kosovë, që sipas tij kishte për qëllim që ta shiste. Ai kishte thënë se gjatë kohës sa kishte qëndruar në Hotelin “Grand” e kishte mbajtur eksplozivin me veti. /Zeri/