Telegrafi

Sky Sports: Nuk ka shans të jenë 119 kombëtare më të mira se Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës (Foto: FFK-Kosova)

Media në Angli po vazhdojnë të shkruajnë për përballje e mbrëmshme në mes të ‘Tre Luanëve’ dhe Kosovës.

Kombëtarja angleze fitoi 5-3 ndaj ‘Dardanëve’ në stadiumin ‘St. Mary’s Stadium’ të Southamptonit, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Sky Sports ka vazhduar me analiza për ndeshjen, derisa gazetari Kavel Solhekol, ka thënë në raportimin e tij se nuk mund të jenë 119 kombëtare më të mirë se ‘Dardanët’.

Valon Berisha (Foto: FFK-Kosova)

“Ata janë sikur vëllezër që luajnë për fanellën dhe flamurin e shtetit të tyre të ri. Ata luajnë futboll ofensiv dhe punojnë pareshtur kur nuk e kanë posedimin”, ka shkruar gazetari i gjigantit mediatik anglez.

“Qëndrimi i tyre për mos dorëzim i bëri tifozët anglezë nervozë në dhjetë minutat e fundit edhe pse udhëhiqnin 5 me 3”, ka shkruar ai duke theksuar edhe qëndrimin në këmbë të të gjithë stafit teknik të Kosovës me festën e çmendur të tyre pas çdo goli”.

Valon Berisha (Foto: FFK-Kosova)

“Vetëm 24 orë më herët po diskutonim si kualifikimet janë bërë bajate dhe rutinë për Anglinë. Dikush sigurisht harroi t’i tregonte Kosovës.

Lexo po ashtu Baneri i “Dardanëve” që nuk u lejua të futej mbrëmë në stadium kishte një mesazh të madh

“Ata mund të jenë në renditje në vendin e 120-të në ranglistën e FIFA-s, por nuk ka shans që të jenë 119 kombëtare më të mira se ta. Janë në vendin e tretë në Grupin A dhe falë përfundimit në vend të parë në grupin në Ligën e Kombeve, kanë të garantuar një vend në play-off për një vend në ‘Euro 2020’”, ka shkruar më tej Solhekol.

Anglia është lidere e Grupit A me 12 pikë, Republika Çeke me nëntë, Kosova me tetë dhe Mali i Zi me Bullgarinë me dy. /Telegrafi/