Lëvizja Studentore Për Barazi “Studim Kritikë Veprim” ka thënë se Agjencia e Akreditimit u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë si pasojë e ndërhyrjeve për të instaluar njerëz të pushtetit aktual.
Në njoftimin e Lëvizjes Studentore Për Barazi “Studim Kritikë Veprim” thuhet se kur arsimi nuk është prioritet, sigurisht se bëhet njëri nga mjetet për të ushtruar pushtet.
“Në linjë të njëjtë është edhe vendimi i ministrit aktual të arsimit, Shyqiri Bytyqi, nën urdhrat e kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ai së pari shkarkoi komplet Këshillin Drejtues, organ ky që mbytë autonominë e Universitetit, për të vendosur njerëzit e pushtetit dhe më pas edhe Bordin e Agjencisë së Akreditimit”, thuhet në njoftim.
“Lëvizja studentore për barazi – ‘Studim Kritikë Veprim’ është e vetëdijshme që kapja e arsimit nuk është vetëm formale e brutale por edhe strukturore e rrënjësore. Përkundër kësaj ne nuk guxojmë të lejojmë që arsimi të degradojë edhe më tutje. Janë po këta politikanë që shesin çdo gjë në emër të integrimeve teksa arsimi është njëra nga fushat kyçe ku shihet qartazi se politikat e tyre bien ndesh me zhvillimin dhe emancipimin shoqëror. Ky është izolimi i vërtetë. Kur studentit që ka studiuar në Kosovë, rrezikon mos t’i njihet diploma, pra liberalizimi i vizave do të siguronte për studentët tanë lëvizje të lirë vetëm si punëtorë krahu”, thuhet në njoftim.
Kjo lëvizje studentore thotë se përgjegjës për këtë gjendje të krijuar e mbajnë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për shkarkimin e Bordit dhe ushtruesit të detyrës, pa dhënë asnjëherë asnjë sqarim lidhur me vendimin, e poashtu ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi i cili lejoi këtë vendim absurd.
” Ministri i Arsimit duhet sa më parë t’i drejtohet Komisionit të Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë duke i ofruar sqarime për arsyet e shkarkimit të bordit të kaluar të AKA-së. Për shpërfilljen e neglizhencën e deritanishme gjithsesi se duhet të jepet përgjegjësi. Ministri dhe Kryeministrit sipas Ligjit për Arsimin e Lartë , duhet menjëherë t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosovës për arsyet e shkarkimit të Bordit të AKA-së, si dhe t’i njoftojë sa më parë për të gjitha shkeljet e supozuara mbi të cilat është marrë vendimi për shkarkimin e tyre. Vetëm përmes votimit të vendimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mund të sigurohej llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi politike. Në të kundërtën, arbitrariteti është ajo për çka kjo qeveri do njihet, përpos kravatave e propozimeve vetjake për rritje të rrogave”, thuhet në njoftim.
Kjo lëvizje studentore po ashtu kërkoi Ligji për Arsimin e Lartë sa më parë duhet të ndryshohet në mënyrë që ndikimet politike të mënjanohen. /Telegrafi/