Site icon Telegrafi

Skuadrat e Prishtinës të pakënaqura me ndihmën e komunës

Nuk kemi shumë garues që marrin pjesë në arenën ndërkombëtare por kur kjo ndodh, në njërën anë i gëzon të gjithë, por në anën tjetër shtohen vështirësitë e drejtuesve të klubeve, të cilët e kanë të qartë se shpenzimet do të rriten. KH Prishtina ishte pjesë e garave ndërkombëtare dhe është ndihmuar nga Komuna, por kjo ka qenë ndihmë simbolike, ndonëse krahasuar me disa klube duket e madhe.

“Gjatë vitit 2013 jemi ndihmuar me 5500 euro dhe kjo është shumë tejet e vogël krahasuar me kërkesat që i kemi. Në jemi kampion, fitues të kupës dhe pjesëmarrës në garat ndërkombëtare. Një shumë e tillë është qesharake, por nuk kemi çka të bëjmë më shumë. Kemi afro 80 lojtarë të të gjitha grupmoshave dhe është e qartë se shpenzimet janë të mëdha”, thotë kryetari i KH Prishtina, Eduard Berisha, duke bërë me dije se “për dallim nga disa skuadra tjera, ne nuk e kemi ndërruar emrin dhe e kemi të pastër, Prishtina, andaj edhe komunarët duhet ta kenë parasysh këtë fakt”.

Drejtori sportiv i kësaj skuadre Krenar Çela thotë se “është e vërtetë se Komuna e paguan palestrën ku i kryejmë stërvitjet, por edhe aty kemi pengesa pasi kur ndodh ndonjë panair, palestra për ne mbyllet dhe jemi të detyruar të shkojmë diku tjetër dhe kjo kushton”. Shumë më keq është gjendja në KF Hajvalia, të paktën sa i përket ndihmës nga komuna.

“Në vitin 2012 na janë ofruar 300 euro dhe nuk kemi shkuar fare për t’i marrë ato. Për këtë arsye në vitin 2013 nuk kemi aplikuar për ndihmë, pasi mendojmë se për një shumë të tillë as që duhet humbur kohë”, thotë drejtori sportiv i Hajvalisë Ali Ajeti. KF Kosova e Prishtinës në konkurrencën e femrave për shumë vite nuk kishte konkurrencë, por tani është më ndryshe, ndërkohë që telashet financiare janë arsyeja që të largohen shumë futbolliste.

“Në Komunë na kanë thënë se rregullisht e ndihmojnë këtë skuadër. Unë nuk kam qasje në xhirollogari dhe nuk di se ku kanë shkuar ato para, por e di që këto vajza nuk paguhen asnjë cent dhe për këtë arsye shumica shkojnë në Shqipëri”, thotë trajneri Bajram Krasniqi. Kjo do të thotë se edhe nëse Komuna ndihmon klubin e femrave, paratë shkojnë vetëm për skuadrën e meshkujve.

I pakënaqur është edhe trajneri i KV Prishtina në konkurrencën e femrave, Mehdi Mehmeti, i cili përveç postit të trajnerit është edhe donatori kryesor. “ Shumë pak jemi ndihmuar nga Komuna. Mund të them se për afro katër vite sa jam në këtë klub jemi ndihmuar 2500 euro, dhe të gjitha këto na janë dhënë gjatë këtij viti.

Madje 1000 euro i kemi marr si shpërblim për titullin e kampionit. Kjo është shumë pak për një skuadër që është edhe fituese e Kupës. Për këtë arsye gjatë këtij edicioni kemi pasur telashe të shumta, madje ka qenë në pyetje edhe pjesëmarrja në gara”, tha Mehdi Mehmeti. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version