Telegrafi

Skuadra e tij fitoi 9-0, por çuditërisht Thierry Henry kritikon futbollistët e tij për një pjesë të lojës 

Përfaqësuesja U21 e Francës ka marrë një fitore spektakolare ndaj bashkëmoshatarëve të tyre të Qipros me rezultat 9-0.

Ka qenë një dominim i francezëve nga fillimi deri në fund të ndeshjes, duke marrë një nga fitoret më të thella në histori të grupmoshave U21.

Të besuarit e trajnerit Thierry Henry dominuan kundërshtarët, por ish-legjenda franceze ka gjetur momente që nuk i kanë pëlqyer dhe për këtë i ka kritikuar futbollistët e tij.

“Më pëlqeu rezultati në pjesën e parë, por jo mënyra se si luajtëm. Në pjesën e parë thashë se nuk dua të shoh skuadrën qipriote të kalojë gjysmën e fushës”.

“Ka gjëra për t’u respektuar në posedim dhe jashtë posedimi.Pavarësisht skuadrës, nëse nuk bën presingun e duhur, e gjen veten në vështirësi dhe ne u gjendëm në vështirësi”, tha Henry.

Pjesa e parë përfundoi 4-0 në të mirë të francezëve të rinj, derisa në pjesën e dytë ata shënuan edhe pesë gola të tjerë.

“Duhet ta them shumë qartë, 25 minutat e para nuk më pëlqyen. Ne i respektuam detyrat në zotërimin e topit, por nuk i respektuam jashtë posedimit”.

“Kështu që në një moment kur e bën këtë kundër dikujt, je “i hapur” dhe i jep kundërshtarit shumë opsione”, deklaroi Henry.

Kjo ishte fitorja e tretë e Francës U21 në po aq ndeshje, derisa udhëheqin Grupin H me nëntë pikë ku kanë një golaverazh fantastik 15:1.

Ndeshjen e ardhshme francezët të udhëhequr nga Henry do të kenë një duel më të vështirë pasi luajnë në udhëtim te Austria. /Telegrafi/