Përfaqësuesja U21 e Francës ka marrë një fitore spektakolare ndaj bashkëmoshatarëve të tyre të Qipros me rezultat 9-0.
Ka qenë një dominim i francezëve nga fillimi deri në fund të ndeshjes, duke marrë një nga fitoret më të thella në histori të grupmoshave U21.
Të besuarit e trajnerit Thierry Henry dominuan kundërshtarët, por ish-legjenda franceze ka gjetur momente që nuk i kanë pëlqyer dhe për këtë i ka kritikuar futbollistët e tij.
“Më pëlqeu rezultati në pjesën e parë, por jo mënyra se si luajtëm. Në pjesën e parë thashë se nuk dua të shoh skuadrën qipriote të kalojë gjysmën e fushës”.
“Ka gjëra për t’u respektuar në posedim dhe jashtë posedimi.Pavarësisht skuadrës, nëse nuk bën presingun e duhur, e gjen veten në vështirësi dhe ne u gjendëm në vështirësi”, tha Henry.
Pjesa e parë përfundoi 4-0 në të mirë të francezëve të rinj, derisa në pjesën e dytë ata shënuan edhe pesë gola të tjerë.
“Duhet ta them shumë qartë, 25 minutat e para nuk më pëlqyen. Ne i respektuam detyrat në zotërimin e topit, por nuk i respektuam jashtë posedimit”.
“Kështu që në një moment kur e bën këtë kundër dikujt, je “i hapur” dhe i jep kundërshtarit shumë opsione”, deklaroi Henry.
Kjo ishte fitorja e tretë e Francës U21 në po aq ndeshje, derisa udhëheqin Grupin H me nëntë pikë ku kanë një golaverazh fantastik 15:1.
Ndeshjen e ardhshme francezët të udhëhequr nga Henry do të kenë një duel më të vështirë pasi luajnë në udhëtim te Austria. /Telegrafi/