Site icon Telegrafi

Skuadra e Kosovës në futsall i mbylli kualifikimet me humbje nga Sllovenia

(Foto: ffk-kosova.com)

Njëra ndër ndeshjet më të forta dhe më cilësore në rrethin e dytë të kualifikimeve për ‘Botërorin 2020’ në futsall, ishte përballja e djemve të Kosovës me Slloveninë, ani pse në fund humbën me rezultat të thellë, 1-7.

Futbollistët tanë në pjesën e parë ishin mbizotërues në terren, kaluan në epërsi qysh në minutën e tretë të takimit dhe në vazhdim krijuan disa raste të qindpërqindta po pa kurorëzim .

Njëherë goditën edhe shtyllën. Sllovenëve në këtë pjesë asgjë nuk u shkonte përdore deri në minutën e 18-të kur Osredkar barazoi shifrat nga një gjysmërasti dhe me këtë rezultat u përmbyllë pjesa e parë, thuhet në faqen e FFK-së.

Në pjesën e dytë ndodhi rizgjimi i plotë i sllovenëve, të cilët kaluan në epërsi duke shënuar edhe gjashtë herë. Edhe në këtë pjesë futbollistët tanë u orvatën të bëjnë diçka më shumë, por përballë patën një skuadër të përgatitur mjaft mirë fizikisht dhe me teknikë të përsosur, gjë që edhe shënuan fitore bindëse.

Kësisoj, skuadra e Kosovës në futsall i mbylli këto kualifikime me dy humbje dhe një fitore. Dardanët humbën nga Ukraina në ndeshjen e parë (1-7), shënuan fitore ndaj Maqedonisë së Veriut (7-5) dhe sonte pësuan humbje nga Sllovenia (1-7), duke e përfunduar ëndrrën e Botërorit në rrethin e dytë kualifikues.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Ramadan Cimili deklaroi: “I përgëzoj futbollistët për angazhim . Në pjesën e parë ishim më të mirë, por nuk arritëm t’i konkretizojmë gjithë ato raste. Pjesa e dytë u takoi sllovenëve, ndonëse edhe në këtë pjesë patëm disa raste. Të gjitha ekipet ishin të forta dhe neve na mbetet të punojmë më shumë për të ardhmen”.

Exit mobile version