Telegrafi

Skuadra e Ferizajt futet në karantinë para ndeshjes së barazhit me Lirinë

Ferizaj ka konfirmuar se do të shmang komunikimin me mediat duke u futur në karantinë për t’u përgatitur për ndeshjen e barazhit kundër Lirisë që zhvillohet të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Të dielën zhvillohet ndeshja e barazhit për Albi Mall Superligën e Kosovës, ku do të ndeshen Ferizaj dhe Liria.

“Ujqit” mbeten në pozitën e barazhit pas fitores së fundit ndaj Dukagjinit, e cila ngjalli reagime të shumta për mënyrën se si shkoi rrjedha e asaj ndeshje të cilën Ferizaj e fitoi me rezultat 2-1.

Lexo po ashtu Këshilli kombëtar konfirmon hetimet për dy ndeshjet e Superligës

Për këtë takim tashmë po zhvillohen hetime nga prokuroria në Prishtinë, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kjo situatë ka bërë që klubi ferizajas të pres ndeshjen e barazhit në karantinë, pasi dëshiron të përqendrohet qind për qind për ndeshjen ndaj Lirisë.

Postimi pa ndërhyrje i Ferizajt

Ju njoftojmë se skuadra jonë nga mëngjesi i ditës së nesërme do të futet në karantinë deri ditën e zhvillimit të ndeshjes së barazhit kundër Lirisë së Prizrenit.

Do të udhëtojmë në një lokacion jashtë Ferizajt, në mënyrë që fokusi i lojtarëve të jetë i përqendruar 100% në ndeshjen më të rëndesishme të sezonit.

Me këtë rast, kërkojmë mirëkuptimin e gazetarëve dhe mediave që të respektojnë këtë vendim të klubit dhe të evitojnë kontaktet me lojtarët tonë.

Media të nderuara, ju njoftojmë po ashtu se FC Ferizaj mbetet e hapur që të bashkëpunoj me ju dhe se komunikimin do ta zhvillojmë përmes Zyrës për Informim, konkretisht zëdhënësit të klubit.

Për fund, falemnderit për punën e palodhshme dhe kontributin e juaj në ngritjen e cilësisë së futbollit në Kosovë.

FC Ferizaj

/Telegrafi/