Site icon Telegrafi

Skuadra ‘Bill Clinton’ më e fortë se ‘Raptishat’, kualifikohet në Superfinale

Treshja Taulant Krasniqi, Almir Kryeziu dhe Rinor Krasniqi e skuadrës Bill Clinton është fituese e finales së turneut kualifikues në Ferizaj, që ishte më dramatikja dhe më e bukura , e zhvilluar deri tash, në edicionin e sivjetmë të Z Mobile Streetball Kosova 2018.

Bill Clinton ishte më i suksesshëm se ekipi Raptish me Blend Vokshin, Yll Grabovcin, Erris Gjinollin dhe Ardian Azizin, pasi i mposhti me rezultat maksimalisht minimal 21:20. Në fakt, dueli final ishte i pari dhe i vetmi i cili në turneun e Ferizajt shkoi në vazhdime. Pjesa e rregullt përfundoi baras (19:19) kurse në vazhdime, ku sipas rregullave të FIBA 3X3 Basketball skuadra e cila e para shënon 2 pikë edhe fiton, të dyja ekipet patën raste te shumta për ta finalizuar duelin. Nga 3 tentime për 2 pike, të dyja skuadrat, Raptish dhe Bill Clinton nuk qëlluan asnjëherë përtej vijës 6,75m. Nga 5 tentimet e para për 1 pikë, secila skuadër shënoi nga një herë për rezultat 20:20. Në sulmin e fundit, drama arriti maksimumin pasi që të dyja skuadrat tentuan dhe huqin nën kosh, njëherësh duke luftuar me atomet e fundit të fuqive të tyre për ta shënuar “pikën e artë” e cila dërgonte në Superfinale. Në fund, pas një gjuajtjeje nga depërtimi, huqjës dhe kërcimit të suksesshëm në sulm, duke e përmirësuar gabimin dhe shënuar koshin vendimtar, ekipi Bill Clinton realizoi koshin e fitores i cili i shpalli kampion të sivjetmë të Ferizajt dhe iu siguroi një vend në mesin e 8 ekipeve më të mira të Superfinalës se sivjetme të Z Mobile Streetball Kosova 2018, me 25 Gusht, në Prishtinë.

Për të arritur deri në finale, Bill Clinton në fazën e grupeve mposhti skuadrën Katërshja, që ishte favorite për ta fituar turneun. Ish basketbollistët e njohur të Prishtinës dhe Mabatexit, Ngadhënjim Dragusha e Hyjnor Jasiqi, së bashku me ish basketbollistët e njohur të Bashkimit, vëllezërit Pjetër dhe Palush Doda, u mposhtën nga treshja e Bill Clinton me rezultat 14:9, në kuadër të garave në grupin B. Më pas triumfuan edhe ndaj ekipit ferizajas AND 1, të udhëhequr nga Orges Murseli, me rezultat 19:11.

Në gjysmëfinale, ekipi i cili mbante emrin e presidentit të njohur të SHBA-ve, Bill Clinton, nuk lejoj befasi dhe në mënyrë të sigurtë, me rezultat 21:14, mposhti ekipin më simpatik të turneut të sotëm në Ferizaj, të rinjtë e skuadrës Android të udhëhequr nga i shkëlqyeshmi Diart Gashi, i riu 16 vjeçar i cili luan për kadetët e ekipit Kerasan Prishtina.

Lidhur me ekipin Android duhet thënë se ata u pëlqyen shumë nga publiku ferizajas për lojën e bukur dhe saktësinë nga distanca, në veçanti të Diartit. Në ndeshjen e tyre vendimtare të grupit A kundër skuadrës Tezakët, ata bombarduan 8 herë nga distanca për dy pikë dhe të gjitha këto ishin shënime të Diartit i cili nga 19 dypikësha sa i realizoi ekipi i tij, kishte shënuar 14 sosh.

Nga ana tjetër, ekipi i cili në finale pësoi nga Bill Clinton, skuadra Raptish me lojtarët nga Gjilani, Blend Vokshin, Yll Grabovcin, Erris Gjinollin dhe Ardian Azizin, deri në gjysmëfinale erdhi si lider i grupit C, me dy fitore të sigurta. Raptishat në ndeshjen e parë të grupit mposhtën skuadrën 05-shat me rezultat 21:10 kurse në ndeshjen e dytë fituan ndaj Max Pain me 16:4.

Në gjysmëfinale, Raptishat patën një punë jashtëzakonisht të vështirë me liderin e pakontestueshëm të grupit A, Splash Brothers.

Splash Brothers i përbërë nga vëllezërit Abazi: Leutrimi, Shkëlzeni dhe Agroni, si dhe shtatlarti ferizajas Gent Shabani, në ndeshjen e parë të turneut të sotëm kishin mposhtur Androidin me 17:14.

Vëllezërit Abazi që kanë lindur dhe jetojnë në Çikago të SHBA-ve dhe të cilët çdo verë e kalojnë në vendlindjen e prindërve të tyre, në Ferizaj, sivjet për herë të shtatë që nga viti 2010, kanë marr pjesë në garat e organizuara nga Streetball Kosova. Ata njihen me mbrojtje agresive dhe të fortë por para se gjithash me bombardime të jashtëzakonshme nga distanca. Në duelin e dytë të grupit ata mposhtën edhe Tezakët dhe kaluan në gjysmëfinale për t’u ndeshur me Raptishat.

Gjysmëfinalja ishte “finale para finales”, duel i dy ekipeve të cilat me lojërat e treguara do të ishin përfaqësues i denjë i Ferizajt në Superfinale.

Për më tepër, duhet thënë se turneu sotëm i Ferizajt ishte më i niveluari dhe ndër turnetë më kualitativë në 5 vitet e fundit, kurse sa i përket korrektësisë dhe fer play-it ishte definitivisht më i miri.

Për t’iu kthyer gjysmëfinales Splash Brothers vs. Raptish, për të cilën tham se ishte “finale para finales”, aty fituesi u përcaktu në sekondat e fundit.

Në fillim të duelit, skuadrat vazhdimisht ndërroheshin në epërsi dhe deri në minutin e 5-të kur rezultati ishte 11:11, çdo gjë ishte e niveluar. Më pas, nga minuti 5 deri në atë të 8-të, Raptishat morën iniciativë dhe duke i falënderuar tri shënimeve për dy pikë nga distanca të Ardian Azizit dhe Blend Vokshit, si dhe depërtimeve të tij, njëherësh edhe lojës së mirë të Yll Grabovcit nën kosh, Raptishat gjilanas u shkëputën në rezultat, 20:12. Raptishave ju duhej vetëm edhe një pikë për të kaluar në gjysmëfinale por kështu nuk menduan Splash Brothers.

Vëllezërit Abazi dhe Gent Shabani u kundërpërgjigjen me seri prej 7 pikëve të njëpasnjëshme, të gjithat nga depërtimet dhe lufta nën kosh e Yll Grabovcit shtatëlartë, për ta afruar rezultatin në minimum 20 me 19 për Raptishat. Dhe në sekondat e fundit të ndeshjes gjysmëfinale më të bukur sivjet, Blend Vokshi depërtoi dhe shënoi pikët vendimtare për Raptishat dhe rezultatin final, 21:19.

Duhet thënë se, sikurse edhe Splash Brothers të kalonin në finale, do të ishte plotësisht e merituar.

Në finale, sikurse tham në fillim ekipi Bill Clinton i cili luajti me vetëm tre lojtarë, ishte më i mirë dhe fitoi të drejtën e përfaqësimit të Ferizajt në Superfinalen e Z Mobile Streetball Kosova 2018.

Sot në Ferizaj, garuan 9 ekipe të ndara në tri grupe, ku secili luajti me secilin dhe në fund, liderëve të grupeve A, B dhe C, në gjysmëfinale ju bashku edhe skuadra më e mirë e plasuar në vendin e dytë në të tri grupet , që ishte skuadra Androidi e cila në dy ndeshjet e grupit kishte shënuar 33 pikë, përkundër Katërshes e cila kishte realizuar 29 dhe 05-shat që kishin shënuar 20 sosh.

Shikuar në përgjithësi, të jesh sot në Ferizaj ishte një kënaqësi, kënaqësi e shoqërimit me “Muzikë, Diell dhe Kënaqësi “ streetballi të Z Mobile Streetball Kosova 2018.

Krejt në fund, thuhet theksuar se pas një pushimi dy vjeçar, karvani i Streetball Kosovës sërish i është kthyer rrugëtimit të vet 1000 kilometërsh nëpër tërë Kosovën, duke vizituar 7 qytete dhe në fund mbajtur Superfinalen. Kjo është mundësuar në radh të parë duke i falënderuar sponsorit gjeneral , telefonisë mobile Z Mobile.

Po ashtu, përkrahjes së fuqishme të Presidentit të Kosovës dhe mbështetjes së pakursyer të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës, Komunës së Prishtinës , RTV 21.

Ndihmë të madhe dhe të rëndësishme në realizimin e edicion it të sivjetmë kanë dhënë edhe kompania e pajisjeve dhe veshmbathjeve sportive, Sporting dhe agjencia e marketingut dhe shtypit, VM3 dhe D-Line, sikurse edhe Sprite, BKT, uji Dum Dum Uater dhe De Tox Uater. Krejt në fund dhe me rëndësi të madhe ishte edhe ndihma e 3CIS, Besa Security, Zëri, Korneri.net dhe Papilloni.

Stacionet e radhës ku do të ndalet karvani i Z Mobile Streetball Kosova 2018 për të shpërndarë “muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi” janë Prizreni(e premte, 17 Gusht – Fusha e Sporteve Andrra), Mitrovica (e shtunë, 18 Gusht – Platoja te Liqeni Akumulues në Suhodoll ) dhe Prishtina (e diel, 19 Gusht – Sheshi Zahir Pajaziti).

Klikoni KËTU për rezultatet. 

Exit mobile version