Po vlerësohet si një ndër projektet më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Në kompleksin turistik Brezovica, për 16 vitet e ardhshme do të investohen 410 milionë euro nga konsorciumi francez “MDP Consulting -Compagie des Alpes”.
Pjesë e këtij konsorciumi në këtë projekt është edhe kompania vendëse “Outdoor Kosovo”, pronar i së cilës është, Lorik Haxhiu, ish-këshilltar i projektit të Termocentralit “Kosova e Re”.
Haxhiu për gjashtë vite deri në vitin 2012 ka qenë i angazhuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik si bashkëpunëtor i jashtëm – menaxher i projektit të termocentralit Kosova e Re. Në anën tjetër, njohësit e turizmit këtë projekt e vlerësojnë si të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Megjithatë ata janë shprehur skeptik sa i përket fuqisë financiare që ka konsorciumi francez i përzgjedhur për të investuar.
Profesor i Turizmit, Zekë Çeku ka thënë se konsorciumi francez është kompani konsulente dhe sipas tij, nuk i ka parat për investim. “Ky konsorcium është një kompani konsulentë e cila si e tillë kërkon financues ose do të provoj të shesë si të tillë projektin e Brezovicës”, ka thënë Çeku. /Tribuna/Telegrafi/