Edith Durham, në udhëtimin e saj në Shqipërinë e Veriut, tregoi aq të vërteta mbi padrejtësisë e bëra ndaj kombit shqiptar, sa vështirë se do ta thoshin disa historianë bashkë. Narrativa e saj “vret” kur tregon fakte që në ditët e sotme fatkeqësisht tingëllojnë të pamundura që të përsëriten. Sot, të mirëqenët e Shqipërisë e njohin Ulqinin si një objekt turistik ku të çlodhen në SPA-të apo të luajnë nëpër kazinotë. Ndërkohë për Durhamin dhe për faktet historike: “Ulqini mbetet monumenti i një gafe diplomatike, që shqiptarëve iu shërben për t’iu kujtuar se s’duhet të presin të kenë drejtësi nga Evropa”. Sigurisht, Durham e shkruan në 1908 e që prej atëherë shumë ujëra kanë rrjedhur në analet e diplomacisë evropiane, por mbetet një fakt i pamohueshëm se copëzimet e Shqipërisë nuk janë kundërshtuar nga kancelaritë perëndimore. Në dëshmi të saj, historia është sfiduese me cungimet territoriale nga konferencat e Londrës dhe të Parisit.
Memorandumi i Çubriloviqit, si testamenti i ideologjisë së Karaxhorxheviqit mbi epërsinë e racës sllave ndaj ilirëve, i cili frymëzoi padyshim gjakatarin Millosheviq për revanshin e krimeve të paprecedent në Kosovë, u ndal vetëm nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999. Për herë të parë, kombi shqiptar mori vëmendjen e perëndimit ndaj një gjenocidi të nisur prej shekujsh e në ëndrra sllavësh ende i pasosur. ShBA, nën drejtimin e Clintonit dhe sekretares amerikane të shtetit Albright, bënë atë çfarë mijëvjeçarë vrasjesh e dhunimesh, nuk prekën kurrë zemrat e ftohta të kancelarive evropiane.
Falë mbështetjes amerikane dhe luftës së UÇK-së në Maqedoni, faktori shqiptar u ridimensionua e Parlamenti Maqedonas sot flet shqip e flamuri shqiptar valëvitet në çdo komunë ku ka shqiptarë. Në Malin e Zi, qoftë edhe për pak kohë, faktori amerikan mbështeti emërimin e një kryeministri shqiptar. Historia mëson se kombi ynë i vogël, i pafat për t’u përballur me të padrejtat e historisë, mbas qindra vjet histori shtypjesh e reprezaljesh, një ditë pa të drejtën të vihet në kahun e tij. Faktori amerikan ishte aty, pa atë as mundëm dhe as mundemi të jemi në kahun e të drejtës. E vërteta lypset të thuhet deri në fund se edhe pse qëllimet shoviniste ishin të pashmangshme, po aq ishin edhe përçarjet dhe kokëfortësitë mes shqiptarëve, që fatkeqësisht i kanë ndenjur përkrah historisë sonë.
Iniciativa e ShBA-së dhe E BE-së për bërjen e një reforme në drejtësi, vuri përballë hendekëve skeptikët e ligjit, të cilët i ndau një hon mes prove dhe kundrave. Një pjesë e mirë ishte e idesë se institucione që mund të bënin drejtësinë në këtë vend kishte dhe do të duhej vetëm një dorë e fortë prokurorësh që të vinin pas hekurave magjistratët apo politikanët e korruptuar. Por, praktika kishte treguar se organe të para-reformës, si fjala vjen Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ishin kthyer në qokaxhi nderesh reciproke që funksiononin mbi lajtmotivin “mos më prek ti sot, që mos të të prek ty nesër”, ndërkohë shumë mekanizma të tjerë nuk arrinin të koordinonin punën me njëri-tjetrin, duke ndëshkuar qoftë edhe një zyrtar të lidhur me botën e krimit.
Ajo çfarë mbështetësit e reformës dhanë, ishin mjetet, rrugët dhe strategjitë, e ajo çfarë institucionet shqiptare të ngritura ad hoc do të bënin me ato mjete dhe strategji, mbetej pjesë e pashmangshme e moralit të tyre mbi të drejtën dhe ligjin. Reforma padyshim nuk ishte as e thjeshtë për t’u ndërmarrë dhe për më tepër për t’u përfshirë, por në distancën e viteve nëse do të bëhej një vlerësim paraprak, krahas mangësive, si për shembull, në disa raste trajtimin qëllimisht politik në vlerësimin e magjistratëve dhe mbledhjen e shumë dosjeve në procese civile e penale, ka sjellë edhe një fenomen, për të mos thënë ka dhënë një leksion të ri.
Ajo po zhvesh mitin e pandëshkueshmërisë, diku me arrestime e kund tjetër me deklarime, por mbi të gjitha duke treguar se asnjë nuk do t’i shpëtojë “karmës” se “çfarë ke bërë do të kthehet një ditë”. Edhe pse ende jo, nuk janë vënë para ligjit për aktet e tyre korruptive krerët e shkuar e të sotshëm, ku, me sa duket mënyra përshkallëzuese nga poshtë-lart, e ardhjes një ditë te një lak i ngushtuar, është një sinjal i dhënë e i kuptuar më së miri. Ajo që është e paqartë është koha se kur, por ajo që është e qartë mbetet fakti se goditjes herët apo vonë nuk do t’i shmanget askush.
Pikërisht ky qëndrim qartazi jofavorizues i faktorit ndërkombëtar ndaj politikanëve shqiptarë nuk arrin të përtypet dhe të bëhet një pikë kthese drejt një qëndrimi më bashkëpunues. Përkundrazi, politika shqiptare ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të hapur antagonist, duke i nxjerrë gështenjat me duart e fanatikëve, e duke kërcënuar se me një urdhër të liderit do të nis lufta kundra faktorit ndihmës e bashkëpunues e ditëve më të vështira, vetëm për hatër të liderit e duke luftuar po e lypi nevoja, edhe duke derdhur gjakun për “mullinjtë e erës”.
Gjithsesi, sado efektive të jetë reforma, mbetet akoma diçka e pazgjidhur. Ajo që vlen të peshohet sot është përqasja e njerëzve në lidhje me ligjin, partishmërinë e projektimin e të dyjave me moralin tonë dhe të drejtën. Në fakt, një vlerësim i tillë do të ndihmonte të kuptonim deri ku shkojnë aftësitë tona që drejtësinë ta mbajmë larg ndikimeve politike, kësodore t’i themi edhe faktorit ndërkombëtar “largohuni, ne jemi zot të zgjidhim hallet tona vetë, ato të brendshme, edhe ato të jashtme”. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: faktori ndërkombëtar është arrogant dhe po shkel haptazi të drejtën e sovranit, apo jemi ne që e kërkojmë sa herë na lypset nevoja e kur na e do qejfi, se ndofta nuk jemi të aftë të gjejmë gjuhën e për të cilat nuk jemi në gjendje të vetëudhëhiqemi?
Kjo do të na ndihmonte ne shqiptarët kryelartë të një vendi të vogël, që kur duam të tregojmë madhështinë, e shtrijmë origjinën tonë deri në majën Maçu-Piçu mbi Paqësor, sepse nuk kemi lënë personalitet pa e bërë shqiptarë, demek të tregojmë se jemi aq të zotë sa zhvillojmë botën mbarë, por që nuk arrijmë të bëhemi dot dy kokrra tok në Shqipërinë mëmë(!). E kur bëhet fjala për të vënë në vend krenarinë e lënduar marrim përpara si uragan çdo gjë, qoftë edhe duke pështyrë mbi fjalën e thënë apo dorën e zgjatur ndaj atyre që ishin me ne, në ditë tmerresh për kombin.
Historia jonë ka evidentuar qartë faktin se kemi qenë dhe jemi të paaftë të mbrojmë veten e mbi të gjitha të duam njëri-tjetrin, tipare të kombeve të vegjël, të cilët në fund përdorin edhe mosmirënjohjen, si kundërpërgjigje arrogante të paaftësisë dhe mosdëshirës për t’u bashkuar. Ndofta ka qenë tipari më i rëndë i shoqërisë shqiptare, së shkuar dhe së sotme, e cila vijon të mbetet e përçarë dhe antagoniste në dy kahe të kundërta, bash si koka e shqiponjës në flamur. Rruga e shkurtër, mbi njëshekullore, e ecjes si komb i pavarur, padyshim nuk na ndihmoi në favor të unitetit kombëtar. Por, përtej saj, mendësia e mbyllur dhe e krijuar vetëm rreth individit-lider e servilizmit ndaj këtij të fundit, mbetet një grahmë e pazgjidhur në këtë mijëvjeçarë të historisë së njerëzimit.
Shoqëria jonë, që nuk i ngjan as asaj të zejeve të plebenjve romakë nuk punon, por rrethon këtë individ, të përkufizuar lavdishëm “karizmatik”, a thua është gjetja më e madhe pas shpikjes së rrotës, dhe vegjeton kah rreh shpata e këtij të fundit. E këtu masa është e papërmbajtur, dhimbja e liderit është dhimbja e tyre, qeshja apo qarja kushtëzojnë bipolaritetin emocional nga depresioni deri te hareja, pa u parë ndonjëherë në pasqyrë për të thënë sa bukë i kanë çuar fëmijës sot. A kanë marre kur guxojnë e stigmatizojnë një faktor, i cili në njëqindvjeçarin e fundit, ishte i vetmi që i dha mundësinë e vetëvendosjes e të përfaqësimit si kombe të pavarura në organizma ndërkombëtare. Janë po aq qesharake ato qëndrime publike, që përfshirjen e faktorit e shohin të ndarë nga individi, por kjo me sa duket sepse nuk paskan kuptuar asnjë gjë nga politika ndërkombëtare. Ky qëndrim bëhet gati ngazëllyes kur nëpërmjet gjuhës së vegjetuesve lideri garanton edhe lobimet për heqjen ose jo të një përfaqësuesi, duke bërë këso dorë një gafë sa diplomatike po aq edhe kredibiliteti.
Antiskepticizmi amerikan, teori e përpunuar në zejet e intrigave jokombëdashëse, është “ruli i bojës” i radhës ndaj servilizmit partiak, për atë shpurë vegjetative që pret ardhjen në pushtet për t’u sistemuar, jo interesin kombëtar e faktorin shqiptar mbarëkombëtar. Nuk u duhet shqiptarëve dhe as shqiptarizmës, për të cilën ndofta do të ngriheshin me mijëra kudo nëpër botë. Distancimi është detyrë patriotike, në emër të mijëra të vrarëve dhe pavarësisë së Kosovës, e në emër të një demokracie që më shumë rrëzohet e mezi mbahet në këmbë, ndofta pikërisht nga ata që sot trumbetojnë më shumë antiamerikanizmin sesa kundërshtojnë pansllavizmin.
Antiamerikanët skeptikë dhe pseudo “sovranistët” duhet ta dinë dhe duhet të jenë koshientë se sot, ky faktor po garanton paprekshmërinë e Kosovës duke garantuar sovranitetin e saj. Ata janë gurë bese që kanë çimentuar status-quo-në e të drejtave të shqiptarëve si popullsi shtetformuese në Maqedoni. Luftojnë dhe u janë vënë në krahë shqiptarëve në strategjinë e sundimit të ligjit, që në truallin shqiptar më në fund të mbizotërojë e drejta. Në fund të fundit janë ata që kanë faktorizuar dhe përzgjedhur shqiptarët në Ballkan dhe më gjerë, si aleatë të tyre të denjë. Për të tjerat, antiskeptikët le të merren me poezi (!).