Telegrafi

Skenë emocionale: Babai dhe gjyshi vdesin pas përpjekjes për ta shpëtuar vogëlushin dyvjeçar nga mbytja në një pishinë në Australi

Raportohet se babai dhe gjyshi kanë vdekur duke u përpjekur të shpëtonin fëmijën dyvjeçar i cili ra në një pishinë në Gold Coast të Australisë.

Bëhet e ditur se djaloshi po luante pranë pishinës kur ai rrëshqiti dhe ra në ujë.

Në përpjekje për ta shpëtuar atë, të dy familjarët e tij babai 38 vjeç dhe gjyshi 65 vjeç menjëherë janë hudhur në ujë, duke shkaktuar kështu një tragjedi të dyfishtë gjatë Pashkëve, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Mitchell Ware i shërbimit të urgjencës në Queensland ka njoftuar se kalimtarët i kanë tërhequr trupat nga pishina dhe kanë pritur deri sa mjekët kanë arritur.

Megjithatë, babai dhe gjyshi kanë vdekur në vendngjarje.

E lënduar emocionalisht nga rasti ka mbetur edhe një grua dëshmitare e rastit e cila është dërguar në spitalin universitar Gold Coast.

“Këto incidente mund të kenë efekte afatgjata jo vetëm për anëtarët e familjes, por edhe për njerëzit që ishin në vendngjarje”, tha Ware.

Ndryshe, Pashkët duket të jenë kohë mjaft e ngarkuar për punonjësit e shërbimit të urgjencës, shkaku i rritjes së numrit të incidenteve të ndryshme e sidomos mbytjeve në ujë.

“Unë thjesht do t’i përsëris komunitetit që të tregoj kujdes, veçanërisht nëse nuk jeni notar i fortë. Ne e dimë se fëmijët madje edhe të rriturit mund të mbyten brenda disa sekondave nëse gjenden në situata të tilla”, shtoi Ware. /Telegrafi/