Skënderbeu ka vendosur të nisë një cikël të ri. Dhe lëvizja e parë e guximshme ka qenë divorci me trajneri Mirel Josa dhe marrjen në drejtim të italianit Andrea Agostinelli.
Në prezantimin e tij, drejtori sportiv Haris Fakic është shfaqur besimplotë për suksese të tjera të klubit korçar, ndërsa Agostinelli fjalën e tij të parë e ka pasur për punën e mirë të bërë me Partizanin, e cila është vlerësuar aq sa për për t’i besuar stolin e Kampioneve.
“Njerëzit më kanë qëndruar shumë afër dhe i falënderoj shumë sepse ajo që kanë bërë tifozët e Partizanit për mua ka qenë diçka me të vërtetë speciale dhe do tu jem gjithmonë mirënjohës”.
“Por për fat të keq në futboll pavarësisht gjithçkaje duhet të ndryshosh faqe, dhe në këto momente profesionalizmi im si trajner më thotë se duhet të jap maksimumin për këtë skuadër. Dua të falënderoj presidentin e Skënderbeut që më dha këtë mundësi, dhe do të mundohem ta shfrytëzoj në maksimum”.
Ndërkohe një mision me vete për Agostinellin konsiderohet zëvendësimi i një trajneri, si Mirel Josa që ka bërë histori në stolin e korçarëve.
“Është shumë e vështirë dhe nuk kam dyshime për këtë. Mendoj se ka momente në të cilat disa cikle përfundojnë sidomos në futboll. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i bëj komplimente paraardhësit tim, Mirel Josa, shpresoj të barazoj ose më mirë t’i afrohem disi sukseseve që ka arritur ai me këtë klub”, ka thënë Agostinelli në paraqitjen e tij të parë si trajner i kampionëve.
Kampionet do të vijojnë stërvitjen në ambientet e Tropical deri në datën 25 qershor, pas se cilës do të zhvendosen në Austri për ta kompletuar përgatitjen që shkon në funksion të përballjes së Ligës së Kampionëve kundër hungarezëve të Ferencvaros.