Site icon Telegrafi

Skënderbeu fiton Superkupën ndaj Laçit

Skënderbeu duke festuar pas fitores në Superkupë (Foto: Facebook/KF Skënderbeu)

Trofeu i parë sezonal në futbollin shqiptar shkoi në favor të Skënderbeut, në fundin e një ndeshjeje me gola dhe emocione, ku skuadra korçare mposhti Laçin 3-2.

Pavarësisht largimeve të lojtarëve, dënimit nga UEFA dhe ndryshimeve në bankë, ‘Ujqërit e Dëborës’ arritën të imponohen me meritë ndaj kurbinasve duke shtuar Superkupën në muzeun e klubit.

Me dy trajnerë debutues në bankat respektive dhe shumë eksperimente në formacion, pjesa e parë nuk rezervoi asnjë gol me skuadrat që menduan më shumë për të ruajtur portën, sesa për të shënuar.

Starti i pjesës së dytë solli prishjen e ekuilibrave, kur Regi Lushkja i dha epërsinë Laçit pas një rrëmuje në zonë. Por, shumë shpejt korçarët arritën të rikthejnë baraspeshën pas një goli të Fidan Alitit që u tregua i gatshëm në një goditje këndi.

Dejvi Bregu arriti të fitojë një penallti për Skënderbeun që u konvertua në gol nga Gjergji Muzaka dhe skuadra korçare mori për herë të parë avantazhin, por nuk e lëshoi më.

Bregu thelloi diferencën me rrjetën e tretë në portën e Laçit duke hapur rrugën e trofeut drejt Korçës.

Kjo nuk u cenua as nga goli i vonë i Edison Xhixhës që vulosi ndeshjen 3-2.

Kështu Skënderbeu pas kampionatit dhe Kupës, arrin të marrë edhe Superkupën, nisje fantastike për një ekip që ende pret drejtësinë për dënimin e UEFA-s nga Arbitrazhi sportiv në Lozanë. /TCH/

Exit mobile version