Site icon Telegrafi

‘Skënderbeu i detyroi shekujt të flisnin për të’

Në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë është mbajtur simpozium shkencor, përgjatë të cilit janë lexuar kumtesa të ndryshme për jetën e veprën e Gjergj Kastriotit, një ndër to edhe studimi mbi letërkëmbimin e Skënderbeut me Vatikanin.

Don Albert Jaka, nga këshilli organizativ i famullisë së Doblibarës, ka thënë se përmes këtij simpoziumi mëtojnë të hedhin dritë mbi figurën e Skënderbeut.

Ai tha se pjesëmarrja ka qenë e madhe, sidomos nga njerëz të artit.

“Kemi dashur që në këtë vit jubile, të vitit 2018 ta ndriçojmë dhe të hedhim pak dritë mbi figurën e heroit kombëtar sikurse është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Prandaj, me kumtesat që i sollën profesorët e viseve të ndryshme, të trevave shqiptare, sidomos profesoresha Etleva Lala, që ishte shumë interesante, me gjëra të reja, siç është letërkëmbimi i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut me selinë e shenjtë, pra Vatikanin”, ka thënë Jaka.

Ndërkaq, profesoresha Etleva Lala, mbajti një kumtesë mbi letërkëmbimin mes Skënderbeut dhe selisë së Vatikanit. Ajo tha se për këto studime ka bërë hulumtime shkencore në arkivat sekrete të Vatikanit.

Bazuar në studimet e saj, Lala tha se janë 81 letra që Skënderbeu dhe administrata e tij kishin dërguar në Vatikan.

“Për sa i përket grupit të parë të dokumenteve me natyrë diplomatike, duhet pasur parasysh që këto letra të dala nga kancelaria botërore, janë më shumë ceremoniale dhe në praktikë konsiderohet si ligje të pakontestueshme. Ato nuk kanë funksion të komunikimit të mirëfilltë, por formën e urdhrit që kërkon zbatim. Zakonisht këto dokumente dërgohen te një grupmarrës e jo vetëm te një person i vetëm”, ka thënë Lala.

Kurse, profesori Fahredin Shabani nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, lexoi kumtesën “Portreti i Skënderbeut në historiografinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare”.

“Trajtimi historik dhe letrar i aspekteve të ndryshme të personalitetit dhe të veprës së guximshme e atdhetare të Skënderbeut dhe epokës 25 vjeçare, ka vazhduar në të gjitha periudhat e zhvillimit të historiografisë dhe në të gjitha tregimet në zhanret e letërsisë shqiptare dhe europiane. Gjergj Kastrioti i detyroi të gjithë shekujt të flasin për të. Nëse Karli i Madh me të drejtë quhet babai i Evropës, katër shekuj më vonë historia e vendosi heroin tonë kombëtar në piedestalin e kryembrojtësit e të kampionit të lirisë së saj”, ka thënë Shabani.

Gjatë simpoziumit kanë lexuar kumtesa edhe profesorë e studiues të tjerë, ndërkaq programi është përcjellë edhe me pika muzikore.

Ky simpozium është organizuar nga Famullia e Doblidarës, me përkrahje të Komunës së Gjakovës, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë. /Telegrafi/

Exit mobile version