Site icon Telegrafi

Skenderaj, qyteti i vetëm pa varreza

Me afër 10 mijë banorë, Skenderaj është qyteti i vetëm në Kosovë që nuk e ka një vend për varreza. Banorët e këtij qyteti detyrohen që familjarët e tyre t’i varrosin nëpër fshatrat prej nga vijnë.

Opozita në Skenderaj thotë se mungesa e një vendi për varreza është problem i kamotshëm, raporton KTV.

Isa Fejzullahu nga LDK-ja thotë se për pushtetin aktual asnjëherë nuk ka qenë në rend të parë interesi i qytetarëve.

Mirëpo, sipas zyrtarëve komunalë, Skenderaj deri në vitin 2005 kishte pasur varrezat e qytetit në zonën përkujtimore “Adem Jashari” në Prekaz, mirëpo ajo zonë më nuk është në përgjegjësinë e Komunës.

Sipas tyre, ka pak kërkesa nga qytetarët që familjarët e tyre të varrosen në qytet, pasi shumica e banorëve të Skenderajt kanë prejardhje nga fshatrat, dhe familjarët e tyre duan t’i varrosin nëpër fshatrat prej nga vijnë, transmeton Koha.net.

Hajriz Koca, zyrtar për informim në këtë komunë, thotë se ky problem do të zgjidhet brenda këtij viti.

Exit mobile version