Telegrafi

Skenderaj fitues i Kupës së FVK-së në konkurrencën e femrave

(Foto: FVK)

Skenderaj ka fituar Kupën e Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), pas një paraqitjeje brilante në finale, të dielën mbrëma, ku mposhti Dritën me rezultat 3-0 (25-20, 27-25, 25-16).

Ishte një superfinale që kurorëzon fundjavën e aksionit në volejbollin e femrave në këtë garë, me vashat e trajnerit Ylli Kadriu që treguan vetmohim të pashoq për të mposhtur një kundërshtar të fortë siç është Drita me këtë rezultat.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve pas ndeshjes morën pjesë një mori personalitetesh të spikatura nga bota sportive e politike, të cilët patën mundësi të shohin spektakël volejbolli – thuhet në njoftimin e FVK.

(Foto: FVK)

Medaljet për fitueset e këtij trofeu u ndanë nga nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci.

Kupa për kapitenen e Skenderajt u nda nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe zëvendës ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Ndërkohë, medaljet për vendin e dytë u ndanë nga nënkryetarja e FVK-së, Mimoza Shkodra Bislimi, sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi dhe anëtari i bordit Valon Xhafaj.

FVK uron Skenderajn për paraqitjet e treguara përgjatë rrugëtimit drejt trofeut dhe përgëzon Dritën për sportivitetin dhe kompetitivitetin e treguar.

(Foto: FVK)