Telegrafi

Skënder Zogaj: Ahmet Krasniqi ishte i gatshëm t’ia lëshojë Ministrinë e Mbrojtjes Adem Demaçit

Ish-bashkëpunëtori i afërt i Ahmet Krasniqit, Skënder Zogaj ka thënë se Krasniqi ishte i interesuar për unifikimin e forcave ushtarake.

Ai në “Dossier D” në RTK Dukagjini ka thënë se Ahmet Krasniqi aspak nuk ishte i interesuar për pozita.

Zogaj ka thënë se Ahmet Krasniqi ka qenë i gatshëm t’i lëshonte edhe pozitën e Ministrit të Mbrojtjes, Adem Demaçit.

“Kur ka qenë në diskutim pozita e tij prej ministri, Krasniqi ka thënë se nuk i intereson ajo pozitë. Ai ka qenë i gatshëm ta lëshoj pozitën, madje ka apostrofuar edhe emrin e Adem Demaçit si pasues të tij, sepse atij i interesonte vetëm terreni i luftës, që ai e quante “teatri i luftës”.

Ish-zyrtari i QIK-ut thotë se pas vitit 1993 Ahmet Krasniqi me Adem Jasharin më nuk ka pasur kontakte.

“Pas fotografisë së përbashkët të vitit 1993, Adem Jashari u kthye në Kosovë dhe më nuk kam informacione nëse kanë pasur komunikime ushtarake(me Ahmet Krasniqin)”.

Ahmet Krasniqi ka lëvizur i lirë sipas ish bashkëpunëtorit të afërt edhe pse ai që në fillim e ka parandie rrezikun që mund t’i kanoset.

Zogaj ka thënë se edhe Ahmet Krasniqi ka vepruar nën petkun e UÇK-së, dhe se ata kanë bartur logon e UÇK-së./Telegrafi/