Telegrafi

Skender Asani, rizgjedhet drejtor i ITSHKSH-së në Shkup

Këshilli i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH), sot ka rizgjedhur Skender Asanin në pozitën e drejtorit të Institutit.

Sipas raportit të komisionit konkurrues, në konkursin e shpallur publik më 4 gusht të këtij viti, kishte konkurruar vetëm kandidati i lartpërmendur, i cili i kishte plotësuar kushtet e parapara me ligj. Rizgjedhja e Asanit në mandatin e ri katërvjeçar, u bë njëzëri nga të gjithë anëtarët e brendshëm dhe të jashtëm të Këshillit të Institutit. Në programin e punës së paraqitur nga Asani, theksohej angazhimi për zhvillimin e mëtejshëm të Institutit në planin vendor dhe ndërkombëtar, organizimi i konferencave, botimet shkencore, zgjidhja e çështjes së objektit të Institutit, shtimi i stafit akademik, etj.

Skender Asani nga Shkupi, është doktor i shkencave historike, pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore, autor i disa librave shkencor – historik, dhe në marrëdhënie të rregullt pune në ITSHKSH që nga viti 2008. /Tv 21/