Cila është e ardhmja e Rusisë në ekonominë globale? A do të jetë shtet i dobët dhe i decentralizuar në periferi të ekonomisë amerikane apo kineze? Përgjigjet për këto pyetje u përpoq t’i japë akademiku Sergei Glazyev, i cili përmend shtatë skenarë të mundshëm për të ardhmen e këtij shteti.
“Politika jonë ekonomike është pasive. Në mungesë të strategjisë, nismën për zhvillimin e ekonomisë ua lëmë të huajve. Ata dominojnë në tregun financiar dhe manipulojnë e dominojnë prodhimin dhe konsumin”, ka thënë Glazyev për portalin Russia Beyond The Headlines, transmeton Telegrafi.
Skenarët e mundshëm, janë si më poshtë:
1. PARTNERITETI NË TRESHE: SHBA, RUSIA DHE KINA
Ky është skenari më pozitiv dhe më së paku i mundshëm, që ndërlidhet me ndërprerjen e agresionit amerikan dhe bashkimit strategjik të saj me Rusinë dhe Kinën. Skenari përfshin eliminimin e sanksioneve anti-ruse dhe një përgjegjësi të përbashkët të fuqive të mëdha për të ruajtur paqen në procesin e ndryshimeve strukturore globale.
2. IZOLIMI
Nëse udhëheqja amerikane, në vend të linjës konfrontuese kthehet në politikën e mëhershme të përfshirjes së Kinës në simbiozën ekonomike me Shtetet e Bashkuara, do të ketë një të ashtuquajtur “Kimerika” (Kina + Amerika). Nëse pushtetin në Kinë e marrin forcat pro-amerikane, Rusia mund ta gjejë veten në izolim të plotë dhe të humbas rezervat valutore dhe tregjet e huaja. Kjo do të çojë në një rënie të konsiderueshme në standardeve të jetesës dhe kërcënimin e integrimit euro-aziatik.
3. MOBILIZIMI
Potenciali kërkues, prodhues, ushtarak, teknik, natyror, mineral, intelektual dhe shpirtëror i Rusisë do të bëjë që vendi të mbijetojë dhe madje të zhvillohet me mobilizimin e ekonomisë. Por, për këtë duhen kuadro të reja, si në pushtet ashtu edhe në biznes.
4. KOLONIZIMI AMERIKAN
Në kushte të vështira ekonomike, politika e brendshme ruse mund ta gjejë sërish veten nën dominimin e forcave pro-amerikane. Me qëllim të heqjes së sanksioneve, do të punohet në koncesione – nën presionet e Perëndimit. Kjo do të provokojë një rritje të agresionit amerikan, deri në organizimin e “revolucionit me ngjyra” dhe vendosjen e regjimit kukull – siç ndodhi më 1991 dhe 1993. Ky regjim do të bëjë çarmatimin bërthamor dhe dezintegrimin e hapësirës sovjetike. Ekonomia ruse do të privatizohet nga kompanitë amerikano-evropiane dhe Azia Qendrore do të jetë zonë e dominimit të Kinës, transmeton Telegrafi.
5. PROTEKTORATI KINEZ
Nëse Rusia nuk kalon në planifikimin strategjik të zhvillimit ekonomik, të bazuar në burimet e veta të kredisë, thelbi i një partneriteti strategjik me Kinën do të konsistojë në varësinë e interesave ekonomike ruse nga zhvillimi i Kinës. Për të kundërshtuar me sukses agresionin amerikan, ekonomisë kineze i janë të nevojshme lëndët e para ruse dhe bazat energjetike. Në këtë skenar, ekonomia ruse do të jetë periferi e Kinës.
6. E DOBËT DHE E DECENTRALIZUAR
Ky është skenari status quo. Në këtë rast ekonomia ruse dhe ekonomia e të gjithë Unionit Euroaziatik mezi do të mbijetojnë testin e tërheqjes në drejtim të SHBA-ve dhe të Kinës, pra në mes të qendrave të vjetra dhe të reja të ekonomisë botërore. Ekonomia ruse do të jetë e dobët dhe e decentralizuar, duke humbur tregun global, gjë që do të shkaktonte mundësi për destabilitzim politik dhe kalim te varianti i “kolonizimit amerikan”.
7. ZHVILLIMI
Rusia duhet të punojnë me seriozitet në strategjinë e avancuar të prodhimtarisë së bazuar në teknologji të re. Në këtë rast, Rusia dhe Unioni Ekonomik Euroaziatik mund ta mbajnë hapin me Kinën. Për ta rritur ndikimin tashmë të vogël të Unionit Euroaziatik, duhet bërë integrimi dhe krijimi i kushteve për tregti dhe bashkëpunim ekonomik me shtetet me zhvillim të shpejtë. Marrëveshja e parë e tillë, në formën e një zone të tregtisë së lirë, tashmë është nënshkruar në Vietnam. Sipas këtij skenari, mund të ndodhë rritja e ekonomisë ruse me deri 10 për qind në vit. /Telegrafi/