Telegrafi

Skenarët e “rastit Beleri”, ja çfarë ndodh me drejtimin e Bashkisë së Himarës sipas ligjit

Këshilli bashkiak i Himarës ka 21 anëtarë, shumicën e të cilëve i fitoi në zgjedhjet e 14 majit Partia Socialiste, por sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, asnjë prej këshilltareve nuk mund të ushtrojë funksionin e kryetarit dhe të zëvendëskryetarit të bashkisë. Në të njëjtin ligj, Parlamenti në vitin 2015 ka përcaktuar në nenet 60, 61 dhe 62 skenarët e drejtimit të bashkive në rastet kur episodet si ai i zotit Beleri është në konflikt me këtë ligj.

Beleri e ka vërtetuar sipas këtij ligji edhe para gjykatës së Vlorës mandatin e tij si fitues, por aktualisht ai është i ndaluar për shkak të akuzave të ngritura nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Mandati i një kryetari bashkie bëhet i pavlefshëm sipas nenit 45 të Kushtetutës, ku thuhet se përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që vuajnë dënimin me heqje lirie, ose të së drejtës për t’u zgjedhur para dhënies së një vendimi përfundimtar.

Gjithashtu, në kuptim të ligjit për vetëqeverisjen vendore, Beleri e merr detyrën vetëm nëse bën betimin para këshillit bashkiak dhe deri në këtë moment, detyrën e ushtron kryetari që është në detyre nga mandati paraardhës.

Neni 61 i ligjit për vetëqeverisjen thotë se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari: a) nuk pranon të bëjë betimin; b) jep dorëheqjen; c) nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur; ç) shkarkohet, sipas nenit 62 të këtij ligji; d) kandidon për deputet; dh) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë; ose ndërron jete.

Neni 62 i të njëjtit ligj tregon se shkarkimi i Kryetarit të Bashkisë me vendim të Këshillit të Ministrave ndodh në rastet kur ai ose ajo kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; ose propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë./RTSH