Telegrafi

Skenarët e koalicionit, të gjithë kërkojnë mandatin në Itali

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, që nuk prodhuan një rezultat të qartë, italianët nuk e dinë se kush do t’i qeverisë.

Sipas sondazheve të fundit, një në tre shtetas të fqinjit të përtej Adriatikut do të preferonte marrëveshjen mes Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut, skenar ky që do të çonte drejt krijimit të një ekzekutivi 100 për qind populist.

E ndërsa Matteo Salvini e përjashton një mundësi të tillë, 5 Yjet e Luigi di Maios mund të bashkojnë forcat me Partinë Demokratike, ashtu siç kërkon një fraksion brenda saj. Pikërisht këtë po përpiqet të shmangë Matteo Renzi me shtyrjen e dorëheqjes deri pas krijimit të qeverisë, për t’u siguruar kësisoj se nuk do të ketë një ujdi me Di Maion. Por Silvio Berlusconi këmbëngul se qeverinë duhet ta formojë qendra e djathtë, shkruan KP.

Do ta mbështes Salvinin, u shpreh ai, dhe do të jem garant i koalicionit. Vota e së dielës nuk ishte një garë e brendshme mes nesh, këmbëngul ‘kavaljeri’, duke shtuar se suksesi i koalicionit është një zhvillim i rëndësishëm, pasi do të lejojë ndryshimin e politikave me të cilat është drejtuar vendi gjatë viteve të fundit.

I pyetur nëse Salvini ka të drejtën të paraqitet si kandidat për kryeministër, Berlusconi u përgjigj se do të respektojë deri në fund paktin parazgjedhor e do t’i japë pa hezitim kreut të Lega Nord mbështetjen e tij në përpjekjet për formimin e Ekzekutivit të ri. /Telegrafi/