Telegrafi

Skena rrëqethëse brenda qendrës korrektuese në SHBA, personeli “ngufat” afro-amerikanin – qëndrojnë ulur mbi barkun dhe gjoksin e tij

Një afro-amerikan që ishte në një qendër korrektuese në SHBA, ka ndërruar jetë nga sulmi në zemër dy ditë pas incidentit që ka ndodhur brenda kësaj ndërtese ku morën pjesë shtatë punonjës që i hipën sipër për ta “qetësuar”, raporton NBC.

Ata e mbanin për duar dhe këmbë derisa qëndronin ulur mbi gjoksin dhe barkun e tij, e ai bërtiste vazhdimisht se nuk po mund të merr frymë, transmeton Telegrafi.

Kamerat e sigurisë brenda akademisë Lakeside në Kalamaz, tregojnë se si personeli e përplasin për tokë 16-vjeçarin Cornelius Fredericks, pasi që ky i ri kishte hedhur sandviçin brenda mensës. Në ato momente brenda mensës gjendeshin dhjetëra adoleshentë.

Jeffrey Frigger, avokati që përfaqëson familjen e të ndjerit, ka ngritur padi në qershor ku thuhet se më 29 prill personeli i qendrës korrektuese ka tentuar ta “ndalë” Frederiksin për plotë 12 minuta siç është regjistruar edhe në video, derisa ai bërtiste se nuk po mund të merr frymë.

Në fund të videos i riu dukej se kishte humbur vetëdijen, derisa personeli mundohej ta ndihmonte ku më pas kishte rënë sërish në dysheme kur të tjerët tentuan ta ngritin në këmbë për ta dërguar në ambulancë. Avokati thekson se Fredericks për asnjë moment nuk u ka rezistuar – përkundrazi ka qëndruar i shtrirë pa e bërë as edhe një lëvizje.

Në ato momente ka ardhur deri te ndalja e zemrës së afro-amerikanit i cili është hospitalizuar, dhe dy ditë më vonë ka ndërruar jetë. Të gjeturat e obduksionit kanë treguar se shkak i vdekjes ishte ngufatja.

Dy pjesëtarë të personelit, Michael Mozzly dhe Zahary Solis si dhe infermierja Heather Mclogan, janë shkarkuar menjëherë dhe akuzuar për vrasje të shkallës së dytë dhe keqtrajtim të riut. Cornelius Fredericks ishte dërguar në akademinë Lakeside, pasi që e ëma i kishte vdekur e babai i tij kishte përfunduar në burg. /Telegrafi/