Site icon Telegrafi

Skena qesharake në derbin e Eredivisie: Portieri bëri njëri ndër veprimet më të pazakonta

Derbi mes Twentes dhe Feyenoordit nuk prodhoi fitues në Eredivisie të dielën (1-1), por kishte një skenë qesharake kur portieri i mysafirëve, Justin Bijlow parandaloi kundërshtarin për të shënuar gol.

Është njëra ndër skenat më të rralla në futbollin botëror, kur një portier del për të larguar topin nga këmba e kundërshtarit, por vonon të rikthehet me kohë në portë.

Mirëpo, portieri i Feyenoordit ishte tejet i qetë në veprimin që bëri, duke arritur madje të vononte edhe ndeshjen në minutën e 38-të.

Derisa lojtari i Twentes po nxitonte ta rikthente topin në lojë, Bijlow e mori topin tjetër që i qëndronte afër, dhe e futi në fushë.

Rregulli në futboll e thotë qartë se kur janë dy topa në fushë, atëherë loja duhet ndaluar derisa të largohet tjetri.

Kështu, lojtari i Twentes mbeti i acaruar me portierin e Feyenoordit, aq sa e gjuajti me top, ndërsa gjyqtari e ndëshkoi gardianin me karton të verdhë. /Telegrafi/

Exit mobile version