I pathyeshmi Rudy Fernandez fitoi zemrat e adhuruesve të basketbollit për të disatën herë në Eurobaksetin e fundit, ndërsa fotografitë e veteranit 37 vjeçar duke qarë pas dyerve të mbyllura, tërhoqën shumë vëmendje në rrjetet sociale.
Edhe pse ka fituar gjithçka në karrierën e tij të pasur, asi legjendar i Real Madridit e ka përjetuar emocionalisht fitimin e medaljes së katërt të artë në Kampionatin Evropian me fanellën e Furisë së Kuqe.
Rudi hyri në një dhomë, u ul pas një dere të mbyllur dhe filloi të qajë. Ai kishte veshur fanellën e Sergi Llull, i cili nuk mundi të luante në Eurobasket për shkak të një dëmtimi.
“Jam shumë krenar për këtë grup. Kjo medalje është shumë e veçantë, ndoshta më e veçanta, sepse kemi punuar shumë. Veç kësaj, më mungon shtylla ime e madhe e jetës, babai im që ka ndërruar jetë para disa muajsh”.
“E di që na ka ndihmuar nga lart. Mund të jem vetëm krenar për këtë grup njerëzish, të cilët punuan shumë me shumë përulësi. Dhe ne e kishim gjithmonë në mendje Sergio Llullin”, i ka shpjeguar Fernandez për mediat spanjolle lotët e tij.
Sapo mori medaljen e artë, Rudy e puthi atë dhe ngriti sytë nga qielli duke kujtuar të atin. Fernandez fitoi kështu medaljen e 11-të me fanellën e kombëtares dhe u barazua me Pau Gasol për numrin e medaljeve.
Kujtojmë që në finalen e ‘Eurobasket 2022’ të zhvilluar të dielën në Berlin, Spanja triumfoi përballë Francës me rezultat 88-76. /Telegrafi/