Site icon Telegrafi

Skema e mashtrimit me objektiv institucionet arsimore, reagon Ambasada e SHBA-së

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar pas arrestimit të një 20-vjeçari në Devoll, i cili kishte ngritur një skemë të madhe mashtrimi, që kishte objektiv institucionet arsimore.

Ambasada përmes një njoftimi në rrjetin social ‘X’ ka falënderuar drejtuesit e Policisë së Shtetit të cilët sipas saj janë përkushtuar për të dhënë ndihmë për këtë rast.

20-vjeçari në Devoll përmes një identiteti të rremë dhe dokumentave që kishte nxjerrë me vulat dhe emrat e drejtuesve të Ambasadës, premtonte udhëtime në SHBA kundrejt pagesave të caktuara.

Reagimi i Ambasadës së SHBA-së:

Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i vlerëson për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë Jashtë shtetit. Njësia e Hetimeve Kriminale jashtë Ambasadës dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit Shqiptar kanë një njësi të posaçme që kryejnë së bashku hetimet.

Një hetim gjashtëmujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi, i cili kishte përfaqësuar me mashtrim programet si të lidhur me Ambasadën dhe kishte nxjerrë dokumente me vulat dhe emrat e zyrtarëve të Ambasadës. Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, Shefin e Prokurorisë së Tiranës Arenc Cela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë në këtë rast. /Telegrafi/

Exit mobile version