Site icon Telegrafi

Skema e Italisë për të trajtimin e kërkesave për azil jashtë vendit, nuk duhet të bëhet model për pjesën tjetër të Evropës

Romë, Itali, 29 janar 2024: Giorgia Meloni dhe Ursula von der Leyen në Samitin Itali-Afrikë në Romë (foto: Roberto Monaldo/AP)

Nga: Andreina De Leo dhe Marco Gerbaudo / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ka shumë interesim për marrëveshjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni me Shqipërinë, për zhvendosjen e procedurave të azilit jashtë vendit, projekt që nisi këtë javë në përpjekjen për të trajtuar rritjen e migracionit të parregullt.

Gjermania, e cila ka njoftuar rregullore të reja kufitare pas sulmeve të dyshuara islamiste dhe rritjes së partive politike të ekstremit të djathtë kundër imigracionit, është veçanërisht e interesuar të shohë se si funksionon kjo marrëveshje. Gjatë një vizite në Romë, muajin e kaluar, kryeministri britanik, Keir Starmer, vlerësoi përpjekjet e Melonit për të ulur flukset migratore, duke thënë se “qeveria e tij pragmatike” kërkon qasje të reja për menaxhimin e këtij problemi.

Vitin e kaluar, numri i kalimeve të parregullta kufitare në BE arriti në rreth 380 mijë. Bashkimi Evropian pranoi 1.1 milion kërkesa për azil, një rritje prej 17 për qind krahasuar me vitin 2022 – në një trend të qëndrueshëm rritës të tri viteve të fundit. Kjo rritje e kalimeve të parregullta kufitare dhe kërkesave për azil ka ndezur sërish debatin për zhvendosjen e procedurave të azilit në vende të treta.

Por, çfarë nënkupton zhvendosja e procedurave të azilit dhe a do të arrijë qëllimin e saj?

Kjo ide merr shembullin nga politika e diskutueshme e azilit të Australisë, në fillim të viteve 2000 – e quajtur “zgjidhja e Paqësorit” – që dërgonte azilkërkuesit në Nauru dhe në Papua Guinenë e Re për trajtim dhe i kthente mbrapsht anijet nga ujërat australiane.

Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria e Melonit nënshkroi një protokoll me Shqipërinë për të hapur dy qendra azili në vendin fqinj të Ballkanit. Një qendër në portin e Shëngjinit do të shqyrtojë dhe regjistrojë njerëzit e shpëtuar nga anijet italiane në det të hapur, dhe tjetra në Gjadër do të përpunojë kërkesat e azilit të migrantëve që vijnë nga vende të sigurta të origjinës – brenda 28 ditëve – dhe do të mbajë ata të cilëve u refuzohen kërkesat, në pritje të riatdhesimit. Të dyja qendrat u hapën të hënën pasi 16 burra – 10 nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti – u kapën në det nga marina italiane.

Përpara nisjes së skemës së zhvendosjes së procedurave, Italia e ka zgjeruar në mënyrë kontroverse listën e vendeve të sigurta ku mund të dërgohen azilkërkuesit, nga 16 në 22 shtete – përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin, si dhe shumë të tjera me vlerësime të dobëta për të drejtat e njeriut, si Tunizia dhe Nigeria.

Zhvendosja e procedurave të azilit shihet nga shumëkush në BE si një alternativë më humane sesa dërgimi i migrantëve në vendet në zhvillim. Shteti italian do të mbetet përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe rivendosjen e refugjatëve të pranuar. Të dyja qendrat janë të pajisura me personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian, ndërsa roli i Shqipërisë – “shtetit të tretë” – është i kufizuar në dhënien e territorit të saj dhe sigurimin e rojeve të jashtme.

Mbështetësit e këtij modeli besojnë gjithashtu se është më human sesa praktika aktuale e BE-së për të hedhur miliona euro në vendet e Afrikës së Veriut, si Tunizia dhe Egjipti, apo Mauritania, për të forcuar kontrollin e tyre kufitar dhe për të ndaluar migrantët që të arrijnë në BE. Në Libi, rojet bregdetare të financuara nga BE-ja janë akuzuar për brutalitet dhe trafik me njerëz.

Por, a është me të vërtet përpunimi i azilkërkuesve jashtë vendit një alternativë efektive dhe humane për të kontrolluar migrimin e parregullt? Ne kemi dyshime. Italia është zotuar të trajtojë azilkërkuesit në Shqipëri “sikur” të ishin në Itali. Megjithatë, është e dyshimtë nëse ky premtim mund të realizohet në praktikë.

Për shembull, protokolli dhe ligji i ratifikimit sqarojnë se autoritetet që vlerësojnë aplikimet, do të ndodhen në Itali, ndërsa takimet personale me avokatët në Shqipëri do të lejohen vetëm nëse këshillimi në distancë do të jetë i pamundur. Kjo, kombinuar me sfidat për realizimin e mbikëqyrjes nga organizatat e shoqërisë civile, organet e pavarura të monitorimit dhe anëtarët e Parlamentit në një vend të tretë, ngre shqetësime serioze nëse përpunimi jashtë BE-së mund të sigurojë vërtet një trajtim të drejtë.

Meloni ka deklaruar se gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat e ndjeshëm nuk do të transferohen në Shqipëri. Por, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR), i cili nuk është konsultuar përpara marrëveshjes Itali-Shqipëri, ka shprehur rezervat e tij – veçanërisht për sa i përket identifikimit të duhur të ndjeshmërisë dhe respektimit të të drejtave të azilkërkuesve.

OKB-ja është pajtuar të monitorojë skemën në tre muajt e parë, pa sqaruar në mënyrë thelbësore se si do të tejkalohen këto çështje kritike. Mbetet për t’u parë nëse prania e saj do të jetë e mjaftueshme për të siguruar respektimin e të drejtave bazike, apo nëse në vend të kësaj do të legjitimojë indirekt këtë politikë.

Marrëveshja Itali-Shqipëri pritet të kushtojë deri në 985 milionë euro për pesë vjet, duke devijuar burimet nga prioritetet kritike të brendshme, si kujdesi shëndetësor, kultura dhe arsimi. Qendrat në Shqipëri mund të strehojnë rreth një mijë migrantë në muaj, me mundësinë e rritjes në tre mijë. Një burg i vogël do të strehojë edhe 20 persona të tjerë. Duke pasur parasysh se rreth 157 mijë migrantë zbarkuan në Itali në vitin 2023, a është kjo strategji e kushtueshme një përgjigje e qëndrueshme për sfidat që synon të adresojë?

Kopjimi i modelit Itali-Shqipëri në nivel të BE-së, është gjithashtu një temë e diskutueshme. Sipas ligjit të BE-së, kërkesat për azil duhet të përpunohen brenda BE-së, sa herë që azili kërkohet në territorin, në kufirin ose në ujërat territoriale të një shteti anëtar. Prandaj, procedurat jashtë vendit në një shtet të tretë mund të kryhen vetëm nëse migrantët kapen në det të hapur ose në kufijtë tokësorë jashtë BE-së, megjithëse edhe në atë rast disa aspekte të tjera mund ta bëjnë politikën të papajtueshme me ligjin e BE-së. Në Itali, për shembull, disa nga vendet që janë në listën e sigurt, nuk konsiderohen të sigurta për kategori të caktuara njerëzish, si ata të komunitetit LGBTQ+. Kjo mund të shtyjë, potencialisht, autoritetet gjyqësore të ndalojnë trajtimin e aplikantëve nga këto vende në Shqipëri. Në çdo rast, për shtetet si Gjermania, të cilat nuk përballen me kalime të parregullta kufitare nga kufijtë e jashtëm, zbatimi i skemave të tilla jashtë vendit do të ishte i pazbatueshëm.

Është e vërtetë se urgjentisht janë të nevojshme zgjidhjet alternative për të kundërshtuar obsesionin populist për kontrollet kufitare. Megjithatë, ka mundësi më të mira dhe më humane për të luftuar praktikat e dhunës kufitare dhe politikat migratore “të qiramarrjes”, të cilat shmangin përforcimin e tendencës për të zhvendosur përgjegjësinë drejt vendeve të treta.

Investimi në masat të cilat sigurojnë qasje efektive në azil dhe që ofrojnë pranim dhe integrim dinjitoz brenda BE-së, do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm. Menaxhimi i qetë dhe i suksesshëm i krizës humanitare të Ukrainës tregoi se sfida e migrimit për BE-në nuk është një çështje numerike. BE-ja ka qenë në gjendje të strehojë më shumë se katër milionë refugjatë nga Ukraina – kur ekziston një vullnet i përbashkët politik. /Telegrafi/

Exit mobile version