Telegrafi

Skela ra nga kati i nëntë, kush janë të arrestuarit për lëndimin e kalimtarëve në Tiranë

Lidhur me rrëzimin e skelës që plagosi babë dhe bijë, policia ka arrestuar inxhinierin, sipërmarrësin dhe një punëtorë të pallatit në ndërtim në Tiranë.

Elton Osmanllari, Erjon Kanto dhe Zef Kalaj janë personat e arrestuar nga policia. I pari me profesion punëtor ndërtimi, i dyti sipërmarrësi i punimeve në objekt dhe personi i tretë është inxhinieri.

Përmes një komunikate për media këtë të martë, blutë e kryeqytetit bëjnë me dje se skela metalike ra nga kati i 9-të i pallatit në ndërtim pranë ish-parkut të autobusëve.

Lexo po ashtu Rrëzimi i skelës në pallatin në Tiranë, shoqërohen inxhinieri dhe dy punëtorë

Shkak për incidentin është bërë mosrepektimi i rregullave të sigurimit teknik nga ana e ndërtuesve.

Të plagosur mbetën babë e bijë, Hysen Lavdari dhe Imelda Shkembi, të cilët ishin duke kaluar rrugën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku nga një pallat në ndërtim e sipër, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, arrestuan shtetasit:

E. O., 41 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe Z. K., 49 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar respektivisht punëtor ndërtimi, sipërmarrës dhe inxhinier, në firmën që kryente punimet për ndërtimin e pallatit.

Ditën e djeshme, në orën 10:00, në bulevardin “Gjergj Fishta”, dyshohet se për shkak të mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë, nga kati i 13-të i pallatit në ndërtim, ka rënë një skelë metalike që dëmtoi 2 kalimtarë të rastit, shtetasit I. Sh., 38 vjeçe dhe H. L., 72 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/