Telegrafi

Skaneri i skandalit

Doganat e Kosovës kanë blerë skanerin më të shtrenjtë prej katër ofertave sa ka pasur për këtë aparaturë. Skaneri për inspektimin e mallrave në pikën kufitare Han i Elezit është blerë për 1 milion e 406 mijë euro duke i shtuar edhe rreth 1 milion e 290 mijë euro për mirëmbajtje.

Në anën tjetër diferenca e çmimit total i kësaj kontrate me ofertën e një kompanie kosovare, përfshi blerjen e skanerit, mirëmbajtjen, shërbimin e pas-shitjes, garancionin dhe trajnimin është rreth 1 milion e 500 mijë euro. Që do të thotë përgjysmë më shtrenjtë.

Drejtuesit e këtij institucioni fillimisht kanë kontraktuar blerjen e aparatit për 1 milion e 406 mijë euro, e oferta e dytë ka qenë përgjysmë më e lirë me çmim prej 750 mijë euro.

Mirëmbajtja mujore në këtë kontratë është e caktuar që të paguhen në baza mujore nga 27 mijë euro për katër vjet radhazi, që do t`i kushtojë rreth 1 milion e 200 mijë euro doganës. E oferta e dytë ka qenë mbi 5 mijë euro për muaj që për katër vjet do të kushtonte 300 mijë euro. Përkthyer në shqip i bie rreth 900 mijë euro më shtrenjtë.

Gjitha këto i ka marrë vesh Express përmes burimeve të saja brenda doganës. Express posedon gjithashtu edhe e-mailat e shkëmbyer mes drejtuesve të shërbimit doganor dhe kompanisë vendore e cila ka qenë përgjysmë më e lirë.

“Ata thonë se kanë tentuar që ta blejnë atë sa më lirë por çmimi i ofruar nga SGS e Zvicrës ka qenë më i shtrenjti dhe më i pa favorshmi”, thotë ky burim. Gjithashtu kjo kontratë obligon doganën të paguaj disa zviceran për të punuar me skanerin në saje të mungesës së doganierëve të profesionalizuar në këtë aparaturë.

Dogana ka pasur gjithashtu një ofertë tjetër më të lirë se ajo e kontraktuar Roboscan 1M, e cila ka kushtuar 1 milion e 100 mijë euro, që edhe kjo ofertë ka qenë 300 mijë euro më e lirë se ajo e kontraktuara. Mirëmbajtja është ofruar nga vetë kjo kompani për 250 mijë euro gjatë katër vjetëve, që është mbi 1 milion euro më shtrenjtë.

“Aparati ka kushtuar 1 milion e 406 mijë euro dhe gjithashtu në kontratë precizohet që brenda vitit t`ia paguajnë kësaj kompanie zvicerane diku 320 mijë euro në vit që i bie gati 1 mijë euro në ditë”, kanë konfirmuar zyrtarët e doganës. Ata thonë se kjo është bërë me tender njëburimor e në të njëjtën kohë tregojnë se kanë konsultuar kompani të ndryshme nëpër dynja.

Këto i ka pohuar edhe vetë zëdhënësi i këtij institucioni Adriatik Stavileci. Ai para disa ditësh ka konfirmuar për Express se Dogana e ka blerë këtë skaner me çmimin më të vogël të mundshëm që ka kushtuar 1 milion e 406 mijë duke mos përfshirë edhe mirëmbajtjen dhe gjërat tjera.

“Skaneri ka qenë më i liri prej ofertave dhe prandaj dogana ka vendosur për këtë ofertë”, tha Stavileci. Sipas tij, kjo është bërë në mënyrë ligjore dhe është dhënë drita e gjelbër direkt edhe nga kryeministri dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Skaneri i blerë për 1.4 milionë euro, do t’i kushtojë doganës po aq vetëm brenda katër viteve të ardhshme. Megjithatë, zyrtarët e këtij shërbimi ardhjen e skanerit e konsiderojnë si një ndër investimet më të mëdha pas luftës në Kosovë.

Skaneri i doganës, shërben për detektimin apo skanimin e maunave të mëdha e të rrezikshme. Me këtë doganierët kanë menduar ta ngulfasin krimin dhe kontrabandën, e cila vazhdon të jetë mjaft e theksuar. Skaneri do të qëndrojë vetëm në pikën kufitare të Hanit të Elezit, e cila është edhe pika më e frekuentuar.