Shqipëria sërish përballet me lëkundje të forta sizmike, për të gjashtën herë me radhë.
Sipas të dhënave nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Europiane, tërmeti ka qenë në detin Adriatik, 2 km në Juglindje të Durrësit me një magnitudë relativisht të lartë prej 4.9 ballë të shkallës Rihter.
Tërmeti është ndjerë në 00:07 minuta, duke alarmuar sërish banorët të cilët janë detyruar të lënë sërish shtëpitë.
Ndërkaq tërmetet që goditën sot Shqipërinë kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në orën 19:30 informoi se nga lëkundjet janë dëmtuar 7 pallate në Tiranë dhe Durrës.
Ndërkohë rreth 130 banesë janë dëmtuar në zona të ndryshme të kryeqytetit, Durrësit, Fierit dhe Elbasanit. Fatmirësisht, deri në mbrëmje, nuk ka të dhëna për viktima.
Ministria e Shëndetësisë raporton për 105 të lënduar dhe të plagosur lehtë në Durrës dhe në Tiranë. Të dhënat janë paraprake dhe institucionet deklarojnë de mund të rriten në orët në vijim.
“Në këto spitale kanë marrë shërbim mjekësor 105 qytetarë të lënduar nga tërmeti, nga të cilët 74 qytetarë kanë marrë shërbim në spitalin e Traumës”, njoftoi Ministria e Shëndetësinë në orën 21:30.