Liria konsiderohet si një ndër klubet më të vjetra dhe të respektuara në Kosovë.
Por, duket se kryesia aktuale nuk po di të vlerësoj figurat dhe legjendat e skuadrës.
Para dy ditëve zyrtarizuan ish-lojtarin, Bujar Thaqin si trajner të portierëve.
Megjithatë pa kaluar mirë 24 orë, ish-portieri i Lirisë pohoi përmes rrjeteve sociale se nuk kanë arritur një marrëveshje me klubin e tij të zemrës.
Telegrafi mëson nga burimet brenda klubit se arsyeja e prishjes së marrëveshjes ishte paga që i ofruan Thaqit.
“Po është e vërtetë se shkaku i rrogës u prish marrëveshja. Bujarit i ofruan rrogë 150 euro në muaj dhe është më se normale që ta refuzoj. Kjo është nën pagën minimale që lejohet edhe me ligjet e Kosovës”, ka thënë një burim i afërt me klubin.
Ndërkohë edhe Blerim Zerka, trajner disavjeçar i portierëve është larguar nga bardhezinjtë.
Kujtojmë se Thaqi ishte pjesë e skuadrës që fitoj trofeun e vetëm të pasluftës në Kosovë me Lirinë, përkatësisht Kupën e Kosovës, ku në finale përmes penaltive kishte mposhtur Flamurtarin.
Theksojmë se javë më parë skuadra ka liruar si lojtar të lirë Iberahim Walidjo, i cili u transferua si lojtar i bujshëm në Prizren.
Ndryshe, Liria gjendet në pozitën e dhjetë të renditjes tabelore të Superligës me 19 pikë. /Telegrafi/