Site icon Telegrafi

Skandaloze: Hajnat vjedhin ‘Stadiumin e Kosovës’

Stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë nuk po ua di lezetin investimeve që po bëhen në të sherri i hajdutëve. Duke i parë investimet goxha të mëdha që po bëhen në këtë arenë, hajdutët po e shfrytëzojnë rastin duke vjedhur gjësende të ndryshme brenda stadiumit, paralelisht me punimet që po i bën kompania ‘Kawa Grup’. Udhëheqësit e kësaj kompanie thonë se prejse i kanë filluar punimet në ‘Adem Jashari’, hajdutët i kanë kryer katër vjedhje goxha të mëdha.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën Arenën edhe vet drejtori i kësaj kompanie, Valon Vataj. “Prejse i kemi filluar punimet, që rreth një vit, i kemi regjistruar katër vjedhje që janë bërë brenda stadiumit, për çka tashmë jemi shqetësuar”, tha Vataj për Arenën. “Kryesisht është vjedhur rrjeti elektrik. Rreth 80 për qind e rrjetit elektrik është vjedhur. Vlera e atij rrjeti elektrik që është vjedhur sigurisht se sillet rreth 30 mijë euro. Por, janë vjedhur edhe gjëra tjera, siç janë disa dyer të hekurit”, theksoi Vataj.

Ai pohoi se kompania e tij nuk dëshironte t’i bëjë të ditura të gjitha këto vjedhje, por tashmë ky fenomen është tepruar së zmadhuari. “Nuk kemi dashur ta zbehim rëndësinë e ndeshjes historike të Kosovës me Haitin, andaj nuk kemi folur rreth kësaj çështje, sepse vjedhjet kanë nis të bëhen qysh më moti”, pohoi ai.

Vataj: Stadiumi është shumë i rrezikuar nga hajdutët

Kompania ‘Kawa Group’ po druan se punimet që po i bën në stadiumin ‘Adem Jashari’ nuk do të duken ashtu siç duhet për një kohë të gjatë, pasi rreziku është i madh që hajdutët të vazhdojnë të vjedhin gjësende të ndryshme edhe pas miqësores së 5 marsit ndërmjet Kosovës e Haitit.
“Jemi të shqetësuar si kompani. Ne shumë shpejt do t’i kryejmë punimet dhe do t’ua dorëzojmë stadiumin autoriteteve. Por, pas një viti, rreziku është i madh që të vidhen 50 për qind e pajisjeve. Siguria në stadium nuk ekziston, andaj u propozoj që të sigurohet ky stadium për t’i shmang vjedhjet”, theksoi Valon Vataj, shefi i kompanisë ‘Kawa Group’.

‘Kawa Group’ paraqet vjedhjet në polici

Valon Vataj thotë se katër vjedhje që janë bërë në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ i ka paraqitur në Policinë e Kosovës në Mitrovicë. “Unë kam fakte që katër vjedhjet që janë bërë në stadium i kam paraqitur, por çuditërisht në polici thonë se nuk janë të njoftuar”, pohoi shefi i ‘Kawa Group’.

Policia po e heton rastin

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës në Mitrovicë ka konfirmuar për Arenën ‘zhdukjen’ e disa gjësendeve nga stadiumi ‘Adem Jashari’. “Në Polici zyrtarisht është paraqitur vetëm një rast vjedhje-humbje të disa kabllove elektrike. Raste tjera zyrtarisht nuk janë paraqitur. Por, për rastin që jemi njoftuar, po i zhvillojmë hetimet”, tha për gazetën zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Sahiti.

Policia dyshon më së shumti te punëtorët

Burimet e gazetës Arena në Policinë e Kosovës në Mitrovicë kanë thënë se dyshimet më të mëdha për ‘zhdukjen’ e disa gjësendeve nga stadiumi ‘Adem Jashari’ bien mbi punonjësit e kompanisë që po i kryejnë punimet. “Vjedhja ka ndodh brenda stadiumit, i cili është i mbyllur, dhe aty kanë qasje vetëm personeli i kompanisë që po i kryen punimet. Duke i marr parasysh të gjitha rrethanat, dyshimet më së shumti bien mbi personelin e kompanisë”, tha një burim. /Arena/Telegrafi/ 

Exit mobile version