Site icon Telegrafi

Skandaloze, 21 milionë euro u shpenzuan pa tenderë publik

Gjatë vitit që lamë pas më shumë se 21 milionë euro, para të buxhetit të Kosovës janë shpenzuar nga Institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës pa shpallur fare tender përmes procedurës së kuotimit të çmimeve.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, shihet se vetëm gjatë vitit 2014 në vendin tonë janë shpenzuar hiç më pak se 21 milionë e 888 mijë e 64 euro përmes procedurës së kuotimit të çmimeve, ku Autoriteti Kontraktues ka kërkuar ofertat e tri kompanive për të kryer një shërbim të caktuar. Por, si zakonisht ato dallojnë shumë pak me njëra-tjetrën dhe të gjitha janë në pragun maksimal të lejuar me ligj (deri në 10 mijë euro).

Madje, nuk mungojnë rastet edhe kur kompania e preferuar e tyre kryen punët dhe më pas përmes procedurës së kuotimit të çmimeve Autoriteti Kontraktues asaj ia përgatit dokumentet për punët e kryera.

Shpenzimi i dhjetëra miliona eurove para publike në këtë formë lë shumë dyshime për keqpërdorime të shumta, pasi që e gjithë procedura e shpenzimit mbetet larg syve të publikut, sidomos kur kihet parasysh fakti se 11.3 milionë euro shpenzohen në këtë formë vetëm për furnizime të ndryshme, 6.5 milionë euro për shërbime, si dhe 3.9 milionë euro për punë, raporton INFOKUSI.COM

Enis Veliu redaktor i Ekonomisë në gazetën “Zëri” thotë se realizimi i projekteve të ndryshme përmes procedurës së kuotimit të çmimeve thuajse është bërë trend në Prokurimin Publik në vend.

“Ta zëmë, Komuna e Dragashit më 9 korrik të këtij viti përmes procedurës së kuotimit të çmimeve ka përzgjedhur kompaninë ‘Renelual Tahiri’ si fituese e tenderit për ‘Meremetimin e rrugës Rapçë – Dragash’ e ku vlera e tenderit është 9917 euro. Po ashtu, pak ditë më vonë komuna e njëjtë përmes procedurës së njëjtë e ka përzgjedhur kompaninë ‘EKB’ si fituese e tenderit ‘Ndërtimi i kanalizimit në Dragash’ e ku vlera e kësaj është 9376 euro. Si në këtë komunë, pothuajse në të gjitha komunat dhe institucionet tjera ka dhe shumë raste tjera kur Zyra e Prokurimit aplikon këtë metodë të prokurimit, edhe pse procesi i prokurimit ka mundur të jetë më transparent, duke u publikuar njoftimi për kontratë në ueb-faqe të KRPP-së”, tha ai, raporton INFOKUSI.COM

Sipas tij, nëse institucioni në fillim të vitit bën një planifikim të saktë buxhetor, në të shumtën e rasteve mund ta shmangë këtë procedurë të prokurimit e ku çmimi nuk diktohet nga tregu (konkurrenca), por rregullohet nga Zyrat e Prokurimit, të cilat në mënyrë të sigurt ndajnë edhe “tallin” për vete.

Veliu thotë se duke parë rritjen e vazhdueshme të mjeteve përmes kësaj forme të prokurimit është mesë e domosdoshme që institucionet e vendit sa më shpejt që të jetë e mundur duhet t’i obligojnë Autoritetet Kontraktuese që njoftimin për kontratë, edhe përmes kësaj procedure të prokurimit, ta publikojnë në ueb-faqen e KRPP-së apo edhe në ueb-faqen e Autoritetit Kontraktues, pasi që në këtë formë do të kishte më shumë konkurrencë, ku dhe do të mundë të kurseheshin paratë publike.

Sipas tij, po ashtu, edhe zvogëlimi i shumës nga 10.000 euro sa është tash në 5.000 euro në masë të madhe do të eliminonte keqpërdorimet e shumta, pasi që tenderi nuk do të ishte atraktiv për shumë kompani që deri më tash përmes kësaj forme në vazhdimësi kanë kryer punë dhe kanë marrë shuma të mëdha parash pa rënë fare në sy të opinionit. /Infokusi/Telegrafi/

Exit mobile version