Elita hollivudiane mori pjesë në galanë vjetore, AmfAR, për të mbështetur kërkimet për AIDS-in, ndërkohë që temë kryesore këto ditë ka qenë skandali i abuzimeve seksuale që ka përfshirë producentin Harvey Weinstein.
Çështja eklipsoi mbrëmjen, e vetëm disa artistë guxuan të kalonin para gazetarëve, duke e lënë si rrallëherë të boshatisur tapetin e kuq.
Aktorja Julia Roberts u nderua në gala për mbledhjen e fondeve, për përkushtimin afatgjatë kundër SIDA-s. Deri më tani Amfar ka grumbulluar 480 milionë dollarë me qëllimin për të zbuluar një kurë për sëmundjen vdekjeprurëse nga 2020-ta.
Aktorja e “Pretty Woman” tha se beson që mjekimi për këtë sëmundje është vetëm pak vite larg, transmeton Top Channel.
“Mendoj se sëmundjes po i vjen fundi. Por, pikërisht tani na duhet më shumë forcë për të mbërritur në fund”, ka deklaruar ajo.
Këngëtarja e muzikës pop, Fergie, e cila performoi me dy këngë të saj në gala, e pyetur për skandalin “Weinstein”, është shprehur se fenomeni i abuzimit me pushtetin duhet të marrë fund, ndërsa aktorja Michelle Rodriguez deklaroi se fakti që rasti kishte dalë në dritë, tregonte se Hollywoodi po shkonte në drejtimin e duhur.
“Është diçka e bukur të shohësh gjithë këto gra të fuqishme që ngrihen në këmbë dhe thonë: Jo! Kjo nuk është mënyra e duhur”, ka thënë aktorja.
Skandali “Weinstein” ishte edhe në fokus edhe të evenimentit “Fuqia e gruas”, gjatë të cilit yje të kinemasë inkurajuan burrat të dënojnë sjelljet grabitqare në Hollywood.