Ka vijuar investigimi që ka të bëjë me mënyrën e prodhimit të qofteve në një punishte të Tiranës dhe të Korçës.
Këtë herë, një bashkëpunëtore e emisionit “Fiks Fare” arriti që të punësohej në një punishte prodhimi qoftesh pranë rrugës “Bardhyl” në Tiranë. Subjekti Tirana Meat Center, kërkonte prej kohësh një punëtore e cila duhet të ndihmonte në përgatitjen e brumit të qofteve Që në ditën e parë të punës “punëtorja” e re u përballë më një situatë alarmante.
Pronari, i cili ndihmonte në grirjen e mishit dhe të dhjamit të derrit, e kishte mbledhur atë në qese plastike dhe vendosur ne dysheme. Gjatë kohës që makina grinte, pronari mblidhte copat e dhjamit të rënë në dysheme dhe i hidhte në grirëse.
E njëjta gjë ndodhte edhe gjatë përgatitjes së brumit. Në momentin e përzierjes ai trajtohej pa dorëza nga njëra prej punëtoreve. Një pjesë e brumit kish rënë në tokë. Por edhe në këtë rast punëtorja e mblodhi dhe e futi sërish në përzierjen e përgatitur. Nuk respektohej asnjë kusht higjenik.
Edhe në këtë punishte, formula e përgatitjes ishte e njëjtë: pak mish derri, stomak pule dhe dhjamë.
Në këtë subjekt pas njoftimit të bërë nga gazetarët e fiksit u ushtrua një kontroll edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, drejtoria rajonale e Tiranës. Pas kontrollit inspektorët e këtij autoriteti konstatuan kushte të papërshatshme të ambienteve në të cilat punohej, në mure kishte lagështirë, dhe ambienti nuk ishte i ndarë në dhoma të veçanta apo sektorë të veçanta siç e përcaktojnë kushtet e vendosura në momentin e liçensimit. Ky subjekt kishte dy etiketa të miratuara, njërën në të cilën pretendonte se prodhonte me mish viçi dhe në tjetrën më mish derri. Pronari i këtij subjekti pranoi që për momentin prodhonte vetëm qofte të përgatitura me mish derri. Të ndodhur në këtë situatë inspektorët e AKU-së morën masën e bllokimit të aktivitetit deri në momentin e daljes së përgjgijes së analizave higjeno – sanitare të qofteve të marra për analizë nga një parti prodhimi e caktuar. Gjithashtu këtij subjekti ju lanë edhe detyra për plotësimin e kushteve higjeno sanitare të ambienteve ku punohet dhe prodhohet.
Në qendër të emisionit u vu një tjetër qytet. “Shtëpia e prodhimit të kërnackës”, Korça.
Në mes të pazarit të Korçës ndodhet një nga pikat më të famshme dhe të vjetra që tregton kërnacka. “Kërnacka Tushka”. Pronari i kësaj pikë shitje, pranon që kanë më shumë se 20 vjet që e ushtrojnë këtë aktivitet, të liçensuar. Sipas tij janë ushtruar disa kontrolle nga AKU Korçë, dhe kanë qënë në rregull. Por ai nuk pranon t’i tregoj se ku i prodhon kërnackat, jo vetëm bashkëpunëtorëve të fiksit por ajo çka është me e rënda as inspektorëve te AKU-së. Gjatë kontrollit të ushtruar inspektorët hasën një kundërshtim të pronarëve për vënien në dispozicion të dokumentacionit shoqërues dhe që vërtetonte gjurmueshmërinë e produktit final. Në një intervistë për Fiks Fare, pas ushtrimit të kontrollit njëri nga inspektorët e Aku-së Korçë, deklaroi se ky biznes u gjobit në masën e 300 mijë lekëve të reja dhe bllokua aktiviteti për shkak se nuk deklaron se ku i merr qoftet edhe pse pretendon se ka një punishte që prodhon qoftet. Për këtë arsye ata njoftuan edhe organet kompetente si policia dhe prokuroria për të vijuar më tej me hetimin e kësaj çështje.
Pas këtyre fakteve, Fiks fare mori mostra të qofteve të shumë kompanive që janë sot në treg dhe të punishteve të xhiruara nga ky emision, të cilat i çoi më pas për analiza në laboratorin e AKU-së, i cili realizoi analizën mikrobiologjike.
Pas analizimit rezultoi se qoftet kishin ngarkesë mikrobike brenda normave të lejuara. Në të gjitha mostrat e analizuara sipas specialistes së AKU-së Tiranë, Rovena Jahelezit ngarkesa mikrobiologjike është brenda normave. Ajo theksoi se analizat kanë dalë mirë për atë parti që ata kanë marrë mostra për analizë. Kjo nuk do të thotë që të gjitha partitë e tjera kanë dalë mirë apo do të dalin mirë pasi çdo prodhim duhet të shoqërohet me një flet analizë. Por kjo analizë bëhet nga vetë subjekti, në formën e autokontrollit.
Pavarësisht se brumi i qofteve mblidhet nga dyshemeja, analizat mikrobiologjike që kreu AKU kanë dalë brenda normave.
Përsa i përket mashtrimit që këto punishte i bëjnë konsumatorit, sot në Shqipëri nuk ka një laborator që të përcaktojë përbërësit e këtyre prodhimeve në bazë të etiketës të miratuar, ndaj duhet të mjaftohemi me atë që lexojmë nëpër etiketa./Top Channel/