Site icon Telegrafi

Skandali që mund ta rrëzojë Qeverinë e Suedisë: Zbulohet rrjedhja më e madhe e të dhënave të ndjeshme, gjurmët çojnë në Serbi

Kryeministri suedez, Stefan Lofven, ka thënë se vendi i tij dhe të gjithë qytetarët janë vënë në rrezik të lartë nga rrjedhja e mundshme të materialeve të ndjeshme dhe të dhënave personale. Lofven shtoi se i vinte keq pse nuk kishte qenë më parë i informuar për këtë skandal që kishte ndodhur më 2015.

Agjencia Suedeze e Transportit (STA) nisi bazën e re të dhënave “outsorce” (jashtë vendit), dhe menaxhimin e shërbimeve IT ua besoi kompanive private, si IBM-it në Republikën Çeke dhe NCR-së në Serbi, shkruan Gizmodo, transmeton Telegrafi.

Ajo se çfarë ndodhi më vonë, tek tash ka nisur të ndriçohet.

“Procesi i kontraktimit është përshpejtuar, duke anashkaluar ligjet dhe procedurat e brendshme”, ka thënë Jonas Bjelfvenstam, kreu i ri i Agjencisë së Transportit. “Kështu, njerëzit jashtë vendit, të cilët nuk kanë certifikatë sigurie, merreshin me serverët që përmbajnë materiale të vlefshme”.

Edhe pse Republika Çeke dhe Serbia nuk janë armiq të Suedisë, këto vende kishin qëndrime anti-BE-së për çka shërbimet e tyre të sigurisë mund të jenë interesuar për të dhënat e ndjeshme.

Më vonë, në mars 2016, të dhënat e disponueshme publikisht – për automjetet – u janë mundësuar tregtarëve të zgjedhur që regjistrohen në një bazë të dhënash. Por, kjo bazë e të dhënave përmbante edhe informacionin e mijëra njerëzve me identitete të mbrojtura. Shërbimi sekret suedez ka vërejtur gabimin dhe e njoftoi Agjencinë e Transportit. Por, situata u përkeqësua duke dërguar e-maile ku u kërkohej tregtarëve që nga të dhënat e tyre të heqin të dhënat që u janë dërguar gabimisht.

IBM Suedia nuk pranoi të komentojë rastin. Nga kjo kompani njoftuan se ata kurrë nuk është diskutojnë publikisht për klientët e tyre.

Shumica e automjeteve në tokë, ajër dhe det në Suedi, është regjistruar në Agjencinë e Transportit dhe informatorët kanë shprehur shqetësimin se informacioni mbi automjetet e përdorura nga forcat e armatosura dhe të policisë mund të përfundojë në duar të gabuara.

“Kjo është katastrofë. Suedia dhe qytetarët suedezë janë në rrezik të madh”, tha Lofven, duke shtuar se Qeveria ka nisur hetim për atë që ka ndodhur, ndërsa premtoi të forcojë ligjet për të dhënat ndjeshme.

Forcat e armatosura kanë thënë se situata mund të mbahet nën kontroll dhe se regjistrimi i të gjitha automjeteve të rëndësishme ushtarake është në duart e Ushtrisë. Policia e Sigurisë, në anën tjetër, deklaroi se situata ishte serioze, porse mund të menaxhohet. E, Agjencia e Transportit pretendon se nuk ka asnjë tregues se materiali i ndjeshëm përfundoi në duar të gabuara, transmeton Telegrafi.

Ky skandal hap tema të shumta në lidhje me mënyrën se si i trajton Qeveria informacionet e tillë. Pastaj, Policia e Sigurisë, në fund të vitit 2015 njoftoi Ministrinë e Drejtësisë për këtë problemin, por kryeministri këtë e kuptoj në fillim të këtij viti. Lofven tha se tij ministrja e Infrastrukturës, Anna Johansson, nuk ia dha këto informata. Ndërkaq, Johansson akuzon ish-sekretarët e shtetit se ata nuk kanë raportuar për skandalin.

“Sikur ta dija më herët”, u shpreh kryeministri Lofven, duke shtuar se nuk ka plan për të shkarkuar ndonjë nga ministrat e tij. “Kam besim tek ta”.

Skandali në Suedi ka shkaktuar debat të nxehtë. Disa nga partitë opozitare kanë thënë se nuk shmanget mocioni kundër Qeverisë, sidomos ndaj tre ministrave. Fjala është për ministren Johansson, ministrin e Jashtëm Anders Ygemanu, dhe ministri e Drejtësisë, Morgan Johansson. /Telegrafi/

Exit mobile version