Kirurgu britanik që ishte suspenduar nga puna në vitin 2013, pasi që me laser kishte “gravuar” inicialet e tij në mëlçinë e dy pacientëve, ka pranuar fajin në gjyqin e Birminghamit gjatë të mërkurës, kurse verdikti pritet të merret më 12 janar.
Simon Bramhall (53), ka pranuar fajin pasi u ka shkaktuar dëme dhe lëndime pasi që me laser kishte shkruar inicialet e tij “SB” në mëlçinë e pacientëve që ishin me anestezion, veprim ky që është bërë pa miratimin e tyre derisa po i operonte në spitalin Mbretëresha Elizabeth në Birmingham, transmeton Telegrafi.
Për të gravuar inicialet, ai ka përdorur argon jo-toksik, që shpesh përdoret në kirurgji. Njëri nga kolegët e tij këtë veprim të tmerrshëm të Bramhallit e kishte vërejtur gjatë ndërhyrjes së dytë kirurgjikale, ku pas raportimit menaxhmenti i spitalit ka suspenduar kirurgun deri në përfundimin e hetimeve.
“Është një veprim i pafalshëm”, ka deklaruar gjykatësi i cili shtoi se kurrë më parë një rast të tillë nuk e kishte dëgjuar.
Ai ngarkohet me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për faktin se Bramhall kishte shkruar inicialet në mëlçinë e pacientëve. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=_alnHY3KKP0