Site icon Telegrafi

Skandali i mishit të prishur, kërkohen masa konkrete për produktet e importuara

Foto: Arkiv

Kuvendi i Kosovës po debaton për skandalin e mishit në Kosovë, debat ky i thirrur nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu dhe përkrahur nga deputetët e tjerë.

Deputetja Musliu tha se është dezinformuar shumë opinioni publik dhe janë dëmtuar edhe ata prodhues vendorë, të cilët ofrojnë produkte cilësore në Kosovë.

Ajo ka lavdëruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, e cila nuk e ka lejuar hyrjen e mishit të prishur nga Belgjika, në dy raste, në shtator 2016 dhe në gusht të vitit 2017, ku në të dyja rastet ky mish është zbuluar dhe asgjësuar nga inspektorët e Agjencisë.

“Raportimet e tilla nëpër media tregojnë më së miri për gjendjen e rëndë të sigurisë së ushqimit në Kosovë dhe kërkojnë vëmendje urgjente nga institucionet e vendit në përgjithësi. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë për kundër vullnetit, dhe profesionalizmit që kanë, për shkak të kapaciteteve të mangëta nuk arrin të plotësojnë mjaftueshëm nevojat e kontrollit të ushqimit në Kosovë. Dikush mundet edhe t’i quajë të dështuara përpjekjet e Agjencisë për të pas në kontroll sigurinë e ushqimit, por do të ishte e padrejtë që gishti të drejtohet vetëm te bartësit e këtij institucioni dhe stafit të tij. Secili nga ne duhet te angazhohemi dhe t’i përmbushim detyrat që jemi të obliguar t’i kryejmë. Qytetarët janë të rrezikuar çdo ditë nga produktet ushqimore që importohen në Kosovë. Toksinat, pesticidet, metalet e rënda, hormone, antibiotik e shumë element tjerë kancerogjen janë rrezik permanent për shëndetin tonë”, tha Musliu.

Sipas saj, një kujdes i veçantë dhe kontroll i rregullt duhet të bëhet edhe në thertoret vendore, të cilat janë rrezik potencial për bartjen e sëmundjeve të ndryshme.

Pas këtij debati, deputetja Musliu ka propozuar votimin e një mocioni me disa pika.

“Të bëhet plotësimi ndryshim i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili në mënyrë formale-juridike mundëson transferimin e të gjithë inspektorëve përkatës dhe kompetent nga niveli lokal tek niveli qendror. Mbështetje më të madhe buxhetore për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në realizimin e mandatit të saj, si dhe në veçanti të ndahet buxhet në mbështetje në linjat e caktuara për pajisjet e nevojshme dhe te sofistikuara për trupat inspektuese për mbështetjen e kontrolleve zyrtare. Avancimin e mëtejshëm të metodave testuese në përputhje me standardet dhe kërkesat e kohës, ku padyshim rezultatet e tij janë tregues i performancës së kontrolleve zyrtare nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes mostrave zyrtare dhe Sistemeve të VET-Kontrollit nga Operatorët e Biznesit me Ushqim përmes mostrave të VET Kontrollit. Të nxisim bashkëpunimin nga niveli Qendror tek ai Lokal për konsolidimin e Zyrave Regjionale të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Të zhvillojmë kampanja vetëdijësuese për qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm për ushqimet që zgjedhin ti konsumojmë. Mbështetja e Agjencisë me personel profesionale, konkretisht me inspektorë e veterinarë”, u shpreh ajo.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, theksoi se qytetari i Kosovës ushqehet me ushqimin më të shtrenjtë në Evropë, por me cilësinë më të dobët për shkak të importuesve dhe për shkak se institucionet janë të korruptuara.

Ajo ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të japë sa më shpejt dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje për të zgjidhur problemet me të cilat përballet.

“AUVK dhe Inspektorati komunal janë përgjegjës jo vetëm për cilësinë e ushqimit por edhe për higjienën e institucioneve publike dhe private, janë përgjegjës për shëndetin e kafshëve, peshqve, shpezëve, për ushqimin e tyre, ky popull ka të drejtë të ushqehet sigurt dhe me ushqim cilësor. Ndërsa institucionet tona kanë obligim të ofrojnë siguri dhe cilësi për vendin e jo të bëjnë pazare e të korruptohen duke rrezikuar jetën e popullatës. LDK kërkon nga organet përgjegjëse që të respektohet ligji, kërkon nga organet e drejtësisë të merren me këtë fushë seriozisht edhe mos të bëhet pjesë e krimit të organizuar, i cili po e shkatërron popullatën dhe po e gërryen vendin. LDK është tejet e shqetësuar dhe skeptike që kjo qeveri do të merret me luftën e këtyre dukurive, sepse po i bie se do të ishte marrë me luftimin e vetvetes. Andaj, ne kërkojmë që kjo qeveri sa më shpejt të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje për të pasur zgjidhje të problemeve kuptohet në krye me LDK-në”, tha deputetja Gaxherri. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version