Në prag të nisjes së Lojërave Olimpike, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njoftoi se notari kuqezi Sidni Hoxha, në bazë të rezultateve dhe kohëve të regjistruara, do të konkurronte në dy gara – 100 metra stil i lirë dhe 50 metra stil i lirë.
Më datë 9 Gusht ish programuar gara e 100 metrave, por Hoxha nuk u pa askund, dhe për këtë trajneri personal i notarit shqiptar, Shpëtim Hoxha, i cili njëkohësisht është dhe Presidenti i shoqatës “Tirana Delfina Sport” ku aktualisht bën pjesë edhe 24-vjeçari akuzon përfaqësuesit e Komitetit Olimpik për papërgjegjshmëri dhe neglizhencë.
Kjo pasi që ata nuk e kanë regjistruar emrin e sportistit për këtë garë në mbledhjen teknik që i parapriu, pasi në mënyrë të pashpjegueshme nuk kanë marrë pjesë në këtë mbledhje.
“Sidni nuk ka marrë pjesë jo për fajin e tij pasi në mbledhjen e fundit që është komisioni Teknik që është mbledhja deçizive ku vendosen edhe garat e tjera, Komiteti Olimpik Shqiptar nuk ka qenë pjesëmarrës në këtë mbledhje dhe për këtë arsye në mënyrë automatike Sidni është përjashtuar nga gara 100 metra. Mos pjesëmarrja e tyre në një komision teknik tregon papërgjegjshmëri por dhe pa përvojë. Përbën atë që quhet neglizhencë absolute. Sigurisht që Federata e Notit mban përgjegjësi për dërgimin e një trajneri të papërgjegjshëm i cili nuk kujdeset aspak për cështjet e rezultateve dhe që gjithçka të shkojë mbarë” tha trajneri për Oranews.