Duke folur rreth roleve gjinore në letërsinë për fëmijë, Schroeder ndër të tjera preku edhe temën për Perëndinë. Në gjuhën gjermane janë tre përcaktues që vendosen para emrave: der (mashkullore), die (femërore) dhe das (asnjanës). Për Zotin zakonisht përdoret “der”, pra mashkullorja.
Schroeder beson se kjo është e panevojshme. Sipas saj Zoti mund të vendoset edhe te gjinia asnjanëse, sepse “kjo edhe ashtu nuk ka rëndësi”, transmeton “Der Spiegel”. Meqë Schroeder është anëtare e partisë në pushtet, Unionit Demokratiko-Kristian (CDU), kjo deklaratë nuk është pëlqyer nga kolegët e partive tjera simotra, që po ashtu përfaqësojnë vlerat e krishtera.
"Ky budallallëk cerebral më la pa fjalë", tha ministrja bavareze e Sociales dhe anëtare e Unionit Social-Kristian (CSU), Christine Haderthauer, për tabloidin “Bild”.
"Është e trishtueshme për mua kur fëmijëve tanë ua marrin imazhet e fuqishme që janë relevante për imagjinatën e tyre, dhe gjithë kjo për shkak të pasigurisë dhe korrektësisë politike", tha Haderthauer.
Stefan Mueller, kreu i grupit parlamentar të CSU-së, deklaratën e koleges e cilësohej si të padenjë, ndërsa shtoi se ishte i tronditur nga ajo. Në mbrojtje të "Zotit mashkull” ishte edhe Norbert Geis, anëtar i CSU-së në Bundestag, i cili tha: "Perëndia është paraqitur si babai i Krishtit dhe mendoj se kjo kështu duhet të mbetet”. /Telegrafi/