Telegrafi

Skandali francez i qumështit të foshnjave me salmonelë prek 83 shtete

Mbi 12 milionë kuti me qumësht pluhur të foshnjave në 83 shtete të botës janë tërhequr nga tregu pas skandalit të salmonelës që përfshiu kompaninë franceze të qumështit “Lactalis”, shkruan BBC.

Drejtori ekzekutiv i firmës, Emmanuel Besnier, për mediat franceze e konfirmoi shkallën e rrezikut të kontaminimit.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar produkti është ndaluar të tregtohet, pasi bakteri i salmonelës u zbulua në një fabrikë. Gjithashtu, janë ngritur paditë e para ligjore nga prindërit që thonë se fëmijët e tyre u bënë të sëmurë pas pirjes së këtij produkti, përcjell Telegrafi.

Salmonela mund të shkaktojë diarre të rëndë, dhimbje stomaku, të vjella dhe dehidratim. Mund të jetë kërcënuese për jetën veçanërisht për fëmijët e vegjël.

Kompania thotë se ndotja mund të ishte shkaktuar nga punimet rinovuese në fabrikën e tyre Celia në Craon të Francës veriperëndimore.

Ministri francez i Bujqësisë, tha se produkti nga fabrika do të ndalohet tërësisht ndërkohë që vazhdon hetimi.

Qeveria franceze ka paralajmëruar kompaninë për ndëshkim dhe se do të vendos sanksione ndaj zinxhirit të supermarketeve që kishin vazhduar t’i shisnin produktet që mund të ishin kontaminuar. /Telegrafi/