Site icon Telegrafi

Skandal pas ndeshjes në Malishevë: Fizioterapeuti i klubit vendas sulmon gjyqtarin anësor Zeqiri

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinore ndaj fizioterapeutit të KF Malisheva, Ali Bytyqi, pas një incidenti të rëndë që ndodhi pas përfundimit të ndeshjes Malisheva – Ferizaj. 

Sipas raportit të KG të FFK-së, Bytyqi ka goditur me grusht në fytyrë Edmond Zeqirin, asistentin e parë të gjyqtarit kryesor, Genc Nuza.  

Incidenti u zhvillua menjëherë pasi përfundoi takimi i javës së 20-të, i cili u luajt të martën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ku vendasit fituan me rezultat 3-2. 

Sipas njoftimit të FFK-së, situata u përshkallëzua edhe më tej, pasi Bytyqi ka tentuar të godasë përsëri Zeqirin, këtë herë me një gur, por ndërhyrja e futbollistëve dhe trajnerit të Malishevës parandaloi një incident edhe më të rëndë.  

Stafi i klubit ndërhyri duke e larguar atë në ambientet zyrtare të klubit. 

Edmon Zeqiri është prej gjyqtarëve të parë me logo të FIFA-s dhe gjykon shpesh në arenën ndërkombëtare, ndërsa në fillimit të viti kjo licencë iu rinovua, për vitin 2025, ku e pranoi nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Ky incident ka ngjallur reagime të shumta dhe pritet që Komisioni Disiplinor i FFK-së të marrë masa të rënda ndaj fizioterapeutit të Malishevës, duke vendosur një precedent për sjelljet e tij. /Telegrafi/  

Exit mobile version