Telegrafi

“Kam respekt për Elez Blakajn, si prokuror”, Haradinaj i kërkon të kthehet në Kosovë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e ka asnjë problem personal me ish-prokurorin, Elez Blakaj, i cili e ka lëshuar Kosovën, nën pretendimet se ka qenë i kërcënuar për rastin e listave të veteranëve të UÇK-së.

Haradinaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se ka respekt për Blakajn si prokuror.

“Ju siguroj që kam respekt për Elez Blakajn, si prokuror. Unë e kam pasur një fjalor jo të mirë me të pasi e ka lëshuar vendin e punës. Nuk e njoh personin, nuk e njoh Elez Blakajn. Si prokuror si profesionist e kam respektuar”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se problemin me Blakajn e ka pasur në lidhje me dosjen e UÇK-së, të cilën Blakaj e ka kërkuar.

“Po thotë e kam marrë një dosje. Nuk ma ka kërkuar ai një kontratë të tenderëve. Ma ka kërkuar një dosje komplet të UÇK-së. Ka pasur ndershmëri tjera, kush e kupton për çka po flas. Shqetësimi për atë dosje, s’ka qenë për gjetjet e tij, kënd e gjen atë që është i rrejshëm. Shqetësimi është se e kam dhënë krejt dosjen e UÇK-së. Kam përgjegjësi çka ndodhë me atë dosje. Nuk ma ka lyp ai një dosje për ndonjë tender, ma ka lypë një pasuri, dosjen e UÇK-së”, ka thënë ai.

Ai i ka bërë thirrje Blakajt, që nëse ka vullnet, të kthehet në Kosovë, dhe të kontribuojë për shtet ligjor.