Forcat Detare Shqiptare kanë ndërmarrë një mision shpëtimi sot në mëngjes në detin Jon. Dy anije të saj dhe një helikopter janë nisur nga Sazani dhe Pashalimani për të tërhequr në breg një skaf privat që ka mbetur në mes të detit.
Pronari i tij, Adrian Jahja, ishte duke ardhur nga Italia për në Shqipëri me skafin e tij kur i mbaroi karburanti në 10 milje larg në veriperëndim të Sazanit dhe ai u detyrua të kërkojë ndihmë.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë tha se ishte njoftuar nga djali i Adrian Jahjas se i ati kishte mbetur në det dhe i rrezikohej jeta nga dallgët.
Kjo ministri ka njoftuar se është në vazhdim të operacionit të shpëtimit të një skafisti që ka mbetur në det me mjetin e tij, pasi kushtet atmosferike paraqiten të këqija dhe kanë krijuar vështirësi.
“Sot rreth orës 6.00 shtetasi Fatjon Jahaj ka informuar Policinë Kufitare se babai i tij, shtetasi Adrian Jahaj është nisur nga Italia drejt Shqipërisë me një skaf privat”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Në distancën 10 milje në veriperëndim të Sazanit dhe në grykëderdhje të Vjosës i ka mbaruar karburanti dhe ka kërkuar ndihmë. Policia kufitare ka kërkuar ndihme tek QNOD, duke vënë në lëvizje të menjëhershme Forcën Detare, e cila ka nisur për ndihmë dy anije, njërën nga Sazani dhe anijen tjetër nga Pashalimani. Për shkak të kushteve atmosferike operacionin në det e vijon vetëm anija ORIKU. Për shkak të kushteve të këqija atmosferike është kërkuar ngritja e një helikopteri COUGAR që aktualisht është pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit”, thekson në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare.