Telegrafi

Skaduan preferencat tregtare të Kosovës në BE

Së paku, zyrtarë të Qeverisë në largim, presin që këto masa të vazhdojnë deri në vitin 2015,përderisa njohësit e çështjeve ekonomike shprehen skeptikë, raportoi Evropa e Lirë.

Frymëzim Isufi, këshilltar në Ministrinë e Integrimeve, thotë se Komisioni Evropian në shkurtin e kaluar ka propozuar zgjatjen e këtij regjimi deri në vitin 2015.

Por, nëse do të vazhdojnë masat autonome tregtare edhe për pesë vjetët vijues, sipas tij, do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 18 janar. “Ky propozim ka kaluar në Parlamentin Evropian, mirëpo nuk ka marrë formën përfundimtare në mbledhjen e Këshillit Evropian, të mbajtur në dhjetor të vitit 2010”. Sipas Isufit, nëse ky vendim sërish fuqizohet në mbledhjen e Këshillit Evropian, atëherë produktet e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën, do të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore.

Një nen në këtë vendim sqaron se nëse gjatë kësaj periudhe, bizneset kanë paguar doganat për produktet e tyre, ajo shumë duhet t’iu kthehet kompanive në mënyrë retroaktive.

Ndalimi eventual i preferencave tregtare rrezikon të sjellë pasoja negative për ekonominë e përgjithshme të Kosovës. “Një eliminim i tillë i këtyre preferencave, Kosovën e dëmton në aspektin ekonomik dhe politik, sepse dëmtohet edhe më tepër imazhi i saj. Me siguri se do të ishte edhe një hap dekurajues për investitorë të huaj që të investojnë në Kosovë”, ka thënë Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

Vendimi i Komisionit Evropian u lejon vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet e BE-së pa tarifa doganore apo kufizime mbi sasitë. Ky vendim është nënshkruar në vitin 2000, është ripërsëritur në vitin 2005, për të skaduar më 31 dhjetor të vitit 2010. Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin. /Telegrafi/