Telegrafi

S’ka të dhëna për hetimin e deputetëve të OBRM-PDUKM-së, dyshohen për hapjen e dyerve të Kuvendit

Edhe tre ditë pas njoftimit të Prokurorisë Publike (PP), se do t’i merr në pyetje deputetët që kanë hapur dyert e Kuvendit dhe që kanë orientuar turmën drejt salles së konferencave natën e 27 prillit, nuk ka detaje tjera se kur do të ndodh kjo, njofton Alsat-M.

Hetimet, tani për tani nuk zbardhin ndoshta detajin kyç, nëse do të thirren deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe koalicionit në cilësinë e dëshmitarit apo si të dyshuar. Kjo çështje është e rëndësishme, sepse nëse janë të dyshuar dhe nëse ndaj tyre merren masa, një pjesë e procedurës patjetër të kaloj nëpër Kuvend për shkak të imunitetit të deputetëve. Por, kryetari i Kuvendit thotë se nuk ka pranuar kurrfarë shkrese.

Sipas Ligjit për deputetë dhe Rregullores së Kuvendit, roli dhe njoftimi i kryetarit të Kuvendit fillon nga momenti kur organi kompetent do të kërkoj paraburgim për deputet. Procedurat përfundojnë me Komisionin për çështje të Rregullores dhe Mandatit e Imunitet, i cili vendos nëse do t’ia merr imunitetin deputetit të dyshuar. Nëse deputeti është i gjykuar në mënyrë fuqiplotë për vepër penale, mund edhe t’i merret mandati, që bëhet me automatizëm nëse vepra penale është me dënim prej të paktën pesë viteve burg.