Site icon Telegrafi

S’ka sigurime shëndetësore për kosovarët

Qytetarët e Republikës së Kosovës do të presin edhe disa vite për tu pajisur me sigurime shëndetësore. Ligji për këto sigurime i paraparë që të kryhet në vitin 2015, nuk është as afër implementimit.

Ministria e Shëndetësisë ka marrë rekomandime nga partnerët vendor (odat e ndryshme ekonomike) dhe ndërkombëtarë të MSh, se duhet pritur për një periudhë deri në fillimin e mbledhjes së kontributeve, për shkak të ndikimit ekonomik të mbledhjes së mjeteve te familjet kosovare. “MSh po punon që sivjet të fillohet me mbledhjen e kontributeve, e ndoshta edhe me lidhjen e kontratave të para në mes Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë që do të shndërrohet në Fond të Sigurimeve me ofruesit e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Megjithëkëtë MSH nuk jep ndonjë datë të caktuar se kur do të jetësohen sigurimet. “Fokusi i tashëm është që të fillohet me mbledhjen e kontributeve, sa më parë që ka mundësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të AFSH-së”, ka thënë Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë.

Deputetët: MSH s’po punon seriozisht

Mirëpo, Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës është shprehur se Ministria e Shëndetësisë nuk është duke punuar sa duhet për ta jetësuar projektin për sigurimet shëndetësore.

Ajo ka thënë se MSH nuk është duke e marrë seriozisht çështjen e sigurimeve. “Reforma për sigurime shëndetësore është pritur shumë mirë nga qytetarët e Kosovës. Ligji është amandamentuar përmes Kuvendit. Që nga vitit 2015 është dashur që të jetësohen sigurimet shëndetësore. Siç duke ministria nuk është duke u marrë seriozisht me çështjen e sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Kadrijaj për Gazetën Fjala.

“Jam skeptike dhe mendoj që as ky vit qytetarët nuk do të presin ndonjë mrekulli sepse nuk do të kenë sigurime shëndetësore’, ka shtuar ajo.
Njësoj si Kadrija mendon edhe deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Shaip Muja. Ai i ka thënë Gazetës Fjala se në bazë të planifikimeve buxhetore që MSH ka me donatorët e tjerë nuk pret se sigurimet shëndetësore do të jetësohen deri në fund të vitit 2017.

“Sigurimet shëndetësore pa stabilizim të informimit shëndetësor nuk do të mund të bëhen. Përndryshe për 2016-ën sigurimet shëndetësore do të jenë premtime që do bëhen vetëm përmes televizionit. Me këtë ritëm që është duke u punuar nuk besoj që sigurimet do të jetësohen deri në fund të vitit 2017, sepse projektimet me donatorët dhe mënyrat e financimit dërgojnë deri në këtë datë. Jetësimi i tyre nuk është as afër”, ka thënë Muja.

Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë shprehet se duhen një mori përgatitjesh për të cilat MSH thotë se është duke punuar për sigurimet shëndetësore. “Një mori përgatitjesh janë bërë, në të cilat përveç MSH-së duhet përkrahja edhe e disa institucioneve të tjera si MAP, MPMS, MEF, MPB, ATK, etj. Shumë prej këtyre proceseve janë kryer, por ka edhe të tjera që duhen plotësuar në ndërkohë, për të filluar me mbledhjen e kontributeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

80 milionë në vit për sigurime

Ndërkaq kostoja e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, pos buxhetit të rregullt i cili vazhdon të financojë sektorin shëndetësor të vendit, me mbledhjen e premiumeve, llogaritet të jete rreth 80 milion euro në vit.

Ky kalkulim është bazuar në të dhënat fillestare, dhe përfshin premiumet e të punësuarve në sektorin publik, me 18 milionë euro në vit nga punëtorët dhe 18 milionë euro në vit nga punëdhënësi, si dhe sektorin privat me 19 milionë euro në vit nga punëtorët dhe 19 milionë euro në vit nga punëdhënësi.
Po ashtu, për kategorinë e qytetarëve të cilët nuk janë të regjistruar në asnjërin nga sektorët e punësimit, duhet të mblidhen nga 2 euro për person në muaj, që në total paraqet 6 milionë Euro në vit.

Ndryshe, në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ky ligj, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajë edhe punëdhënësi.

Një grup i popullatës do të paguaj 2 euro për person në muaj, për të marrë statusin e të siguruarit, dhe kjo do të zgjasë deri sa të kategorizohen në grupet përkatëse të të punësuarve.

Ndërsa për të gjithë personat nën vijën e ndjeshmërisë sociale, shteti do të vazhdojë të financojë shërbimet e rregullta shëndetësore si edhe deri më tani. /GazetaFjala/Telegrafi/

Exit mobile version