Telegrafi

S’ka shpagim pagash retroaktive

Daut Hajra, profesor në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë, që nga muaji mars ka marrë pagën me rritje 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ekzekutivi.

Qeveria kishte premtuar rritje edhe për muajt janar dhe shkurt, por deri më tash diferenca e atyre dy muajve ende nuk është shpaguar. “Janë rreth 200 euro për dy muaj që duhet të paguhen. Derisa qeveria pati forcë të rrisë pagat 50 për qind, unë mendoj dhe dua të besoj se qeveria ka potencial, ka forcë dhe vullnet që të paguajë edhe pjesët e mbetura borxh neve për dy muaj”, thotë Hajra.

Qeveria e Kosovës, që nga 1 janari i këtij viti, ka rritur pagat në sektorin publik, nga 30 deri në 50 për qind. Por, për shkak të vonesës së miratimit të buxhetit, punëtorët në këtë sektor, pagat me rritje i kanë marrë prej muajit mars, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ekzekutivi i vendit i ka mbetur borxh punonjësve pagesën e pjesës retroaktive për dy muajt e parë të këtij viti. Njohës të çështjeve ekonomike shprehen skeptikë se qeveria do të mund të realizojë diferencën e mbetur.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar nga qeveria që të bëjë zgjidhje për pagesën e pjesës retroaktive të ngritjes se pagave për muajt janar dhe shkurt. BSPK-ja nuk heq dorë nga pjesa e mbetur e pagave të papaguara, thotë Ndue Kalaj, nga kjo sindikatë. “Sindikata e Administratës se Kosovës është dhe mbetet këmbëngulëse që duhet realizohet premtimi, dhe ne iu kemi thënë se në qoftë se nuk realizohet premtimi, ne duhet të mendojmë për aplikimin e masave”, thekson Kalaj

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Financave nuk pohojnë dhe as mohojnë se do të shpaguhet diferenca e mbetur për dy muaj.

Muharrem Shahini, zëdhënës në këtë ministri, tregon se punëtorët në sektorin publik vazhdojnë t’i marrin pagat më rritje. “Vendim për t’u paguar në mënyrë retroaktive po ose jo nuk ka. Ne e dimë se buxheti i Kosovës është miratuar në fund të muajit mars, ndërsa pagat kanë filluar të jepen me rritje, në bazë të vendimit dhe premtimit të qeverisë”, thotë Shahini

Ndryshe, zyrtarë të qeverisë, në muajin shkurt patën siguruar se të gjithë punëtorët që kanë përfituar nga rritja e pagave, pjesën e mbetur do të marrin në mënyrë retroaktive nga janari 2011. /Telegrafi/