Reformimi i administratës publike në Maqedoni, për të qenë një ekip i mirëfilltë në shërbim të qytetarëve, sipas njohësve të këtij lëmi, duhet të bëhet në shumë dimensione, si dhe përmes një plani afatgjatë. Ata thonë se një reformim i tillë assesi nuk duhet shikuar si punë të përfunduar brenda një afati të shkurtër kohor, sa për të përmbushur një detyrim që i është përcaktuar Maqedonisë nga faktori ndërkombëtar.
“Sfidat e reformimit të administratës publike në Republikën e Maqedonisë, do t’i kisha klasifikuar në tri segmente, për një periudhë dhjetëvjeçare. Së pari, ndalimi, përkatësisht stopimi i punësimeve të reja në administratë; së dyti, sistematizimi i menjëhershëm i nëpunësve të Sekretariatit; dhe së treti, digjitalizimi i shërbimeve administrative”, vlerëson Argëtim Saliu, ekspert në këtë lëmi.
Sipas tij, duhet kuptuar rëndësia e ndërprerjes së çdo punësimi në administratë, derisa të sistemohen në vende pune më shumë se njëmijë administratorë shqiptarë, të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, të cilët marrin rrogë dhe qëndrojnë në shtëpi.
Këto komente vijnë pasi ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Damjan Mançevski, tha se do të angazhohet që përmes reformave, të profesionalizojëkuadrin e angazhuar në administratë, si dhe të shmangë influencën politike. Ai u zotua se asnjë administrator nuk do ta largojë nga puna pavarësisht se administrata në Maqedoni në vazhdimësi është kritikuar nga faktori ndërkombëtar për shkak të numrit të madh.
“Nuk do të ketë shkarkime të administratës publike, por ristrukturimin e administratës publike do të përpiqemi ta bëjmë që administrata të jetë më efikase dhe normalisht, më kryesore e reformave në administratë, është digjitalizim i administratës”, deklaroi Mançevski.
Por, Borçe Davitkoski nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Shkupit për Radion Evropa e Lirë thotë se pa u zvogëluar numri i të punësuarve në administratën publike, reformat nuk mund të rezultojnë me sukses, përkatësisht do të mbeten siç thotë ai, “në pikën zero”, sepse një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve në administratë përmes “çelësit” partiak nuk është produktive, por vetëm e shpenzon paranë nga arka e buxhetit për pagesën e rrogave të asaj pjese.
“Nuk mund të bëhen reforma të mirëfillta pa u zvogëluar numri i të punësuarve në administratën publike. Duket qartazi se mungonvullneti politik për realizimin e reformave të mirëfillta në administratën publike, çdo pushtet ka frikë t’i largojë nga puna personat joadekuatë në administratë, sepse fiton kundërshtarë politikë. Por, kjo ka kosto të lartë për shërbimet që marrin qytetarët nga administrata”, konsideron Davitkoski.
Nga ana tjetër, Tërpe Dejanovski nga Sindikata e të punësuarve në administratën e sistemit gjyqësor, thotë se është mirë që qeveria zotohet se nuk do të largojë askënd nga puna, megjithëse shton se duhet të skanohet gjendja e të punësuarve në administratë dhe të investohet në kualifikimin dhe profesionalizimin e shërbimeve që marrin qytetarët.
“Mbase Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës duhet të bëjë një analizë të detajuar se cilat dikastere janë të mbingarkuara dhe në cilat ka nevojë për punësim, në mënyrë që asnjë i punësuar gjatë transferimit të mos dëmtohet sa i përket kategorizimit të vendit të punës”.
“Për ne është shumë e rëndësishme që asnjë nga të punësuarit në administratë gjatë ndryshimit të vendit të punës, të mos dëmtohet sa i përket kategorizimit të vendit të punës”, thotë Dejanovski.
Nga ana tjetër, në raportin e ekspertit gjerman, Rainhard Priebe, është apostrofuar se një pjesë e punonjësve në administratën shtetërore e kryejnë punën në mënyrë joefektive, njëherësh si vërejtje është apostrofuar dhe instrumentalizimi i administratës për interesa të partive në pushtet, si dhe presionet vazhdueshme ndaj të punësuarve në administratë.